2016-02-11 13:02:00

Papa Françesku, në Shën Marinë e Madhe dhe në Shën Gjonin e Lateranit


Papa Françesku shkoi, sot paradite, në bazilikën e Shën Marisë së Madhe  për t’u lutur - sipas traditës, në prag të shtegtimeve të tij apostolike - para ikonës së Zojës “Salus Popoli Romani”(Shpëtimi i Popujve Romakë). Më pas shkoi edhe në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, me rastin e takimit të meshtarëve romakë për fillimin e Kreshëmve dhe rrëfei disa meshtarë.

Takimi i klerit romak pati karakter “pendestar”, shpjegon kardinali Agostino Vallini, në letrën e paraqitjes së ngjarjes, botuar në faqen e  internetit të Vikariatit, për të provuar mëshirën e Atit e për të qenë edhe ne shërbyes të mëshirës, në bashkësitë, që na janë besuar”.

Takimin e kryesoi imzot Angelo de Donatis, drejtues i Shërbimit për Formimin e Përhershëm të Klerit. Si simbol kreshmor, lëmoshët e meshtarëve, që u mblodhën gjatë takimit, do t’i dorëzohen Karitasit dioqezan. Në përfundim të takimit, Papa u dhuroi të gjithë anëtarëve të klerit romak, librin e tij: “ Emri i Zotit është Mëshirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.