2016-02-11 12:38:00

Atmosferë entuziazte pritjeje për arritjen e Papës në Meksikë


Meksika e pret me padurim Papën, që do të jetë në vendin latinoamerikan nesër mbrëma.  Në vend, më se 83% e popullsisë është e besimit katolik. E Papa shkon atje për t’i përforcuar meksikanët në fe.  

E gjithë Kisha meksikane është mobilizuar për vizitën e Françeskut. Përgatitjet kanë përfunduar e gjithçka është gati për arritjen e Papës. Beimtarët janë në pritje entuziazte për të dëgjuar ç’do t’u thotë Françesku.   E pohon këtë kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Roberto Rivera:

“Misioni i Papës është një: të na përforcojë ne në fe. E Papa  Françesku ka një karizmë të veçantë: karizmë afërsie, përvujtërie, ndjeshmërie, që prek thellë zemrat e njerëzve. Niset si shtegtar, e dëshiron të shikohet si shtegtar, që vjen mes nesh për të biseduar e për të qenë pranë Zojës sonë të Gudalupes. Kjo do të na ndihmojë shumë, edhe ne, ipeshkvijtë, për ta forcuar bashkimin në Kishë, që më të varfërit, më të përjashtuarit nga shoqëria, ta ndjejnë me të vërtetë veten pjesë e Kishës”.

Kardinali, më pas, e quan shumë të rëndësishme vizitën e Papës në spitalin pediatrik “Federico Gomez”. Të sëmurët e vegjël sigurisht do të ndjejnë lehtësim nga takimi me një Papë, që i do aq shumë fëmijët. Po në këndvështrimin shoqëror, ç’mund të thuhet për Meksikën, që pret Papën?

Përsëri kardinali Rivera:

“Një Meksikë, që ka pasur përparim politik, shoqëror dhe ekonomik, por edhe një Meksikë me situata dhune shumë të egër, që kërkon më tepër transparencë. Njëkohësisht, edhe një Meksikë tejet fetare, e cila dëshiron t’i kundërvihet dhunës, krejt e papranueshme për fenë e krishterë”.

Meksika e tërë është në këmbë, për ta pritur sa më mirë Papën Françesku. Janë akredituar më se 4 mijë gazetarë e mijëra vullnetarë kanë ardhur nga jugu e veriu i vendit. Atmosfera e pritjes bëhet gjithnjë më entuziazte, nga ora në orë , duke përfshirë të gjithë sektorët e shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.