2016-02-10 13:40:00

Papa: Jubileu i vërtetë prek xhepat, fajdeja është mëkat i rëndë


Një periudhë stërvitjeje, për ta ndjerë thellësisht vëllazërimin: kjo është natyra e vërtetë e Jubileut. Nuk mjafton ta kapërcesh Portën Shenjte, nëse mesazhi i këtij Viti të posaçëm nuk kapërcen pragun e zemrave e nuk i shkund përtacitë e bujaritë e dremitura të atyre, që besojnë se mjafton një shenjë kryqi a një lëmoshë e hollë, lëshuar në shuplakën e zgjatur drejt teje.

Papa Françesku e propozoi Jubileun me të gjithë forcën e tij revolucionare biblike. Për hebrenjtë e lashtë, shpjegoi në fillim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, i 50-ti vit ishte i shenjtë, sepse kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi jetën shoqërore. Funksiononte, shpjegoi, si falje e përgjithshme. Ndarja e pabarabartë dhe padrejtësitë niveloheshin nga stina e re e barazisë. Borxhlinjve u shlyheshin borxhet, të pasurit hapnin dorën për të varfërit, të patokët bëheshin përsëri me tokë:

“Ideja qendrore është është se toka i përket që në zanafillë Zotit e iu besua njerëzve e, prej këndej, askush nuk mund ta përvetësojë plotësisht, duke krijuar situata pabarazie. Këtë, sot, mund ta mendojmë e ta rimendojmë: secili të mendojë në zemër të vet nëse ka shumë gjë e gjëra. E pse të mos ua japë atyre, që nuk kanë asgjë? 10%, 50% të njerëzve. Po ju them: ‘Shpirti Shenjt e frymëzoftë secilin nga ju!’”.

Nëse askohe funksiononte, pse nuk mund të funksionojë edhe sot? Pse të mos jetë kështu Jubileu? - pyeti Françesku - që në vijim kujtoi se rreth 80% e pasurisë sot është në dorë të 20% të njerëzve. Shifra, këto, që nuk flasin për një shoqëri të bazuar mbi solidaritetin. Por pikërisht atje duhet arritur, pohoi me forcë Papa, përndryshe gjithçka është hipokrizi:

"Nëse Jubileu nuk arrin ndër xhepa, nuk është Jubile i vërtetë. Kuptuat? Kjo është në Bibël, eh? Nuk e shpiku Papa: është në Bibël! Synimi, shtoi, ishte një shoqëri e bazuar mbi barazinë e solidaritetin. Ligji biblik, kujtoi Françesku, kërkonte të derdheshin “të dhjetat”; domethënë një e dhjeta pjesë e fryteve të tokës ose e fitimeve, t’u jepej të varfërve, jetimëve vejushave, levitëve, të ngarkuar me kultin, që nuk kishin tokë. Ose të derdheshin frytet e para, pjesa e parë e prodhimeve, e edhe sot, nënvizoi Papa, sa shumë do të mund të bëhej me frytet e para të punës, të rrogave, të kursimeve, që kanë njerëzit e që nga një herë i shkapërderdhin".

Kjo ndodh edhe sot! Në Lëmoshtarinë Apostolike arrijnë shumë letra me pakëz të holla, pakëz gjë, shoqëruar me shkrimin: ‘Kjo është një pjesë e pagës sime për t’i ndihmuar të tjerët’…. E kjo është shumë e bukur: t’i ndihmosh të tjerët, institucionet e bamirësisë, spitalet, shtëpitë e pushimit. Janë të dhjetat, që mund t’u jepen edhe të huajve, atyre, që janë në kalim, si Jezusi, që kaloi nëpër Egjipt.

Pastaj, shtoi Françesku, shpirti i Jubileut është në antitezë me llogaritë meskine e interesat e pamundura për t’u paguar, që shpesh shoqërojnë dhënien e borxhit. Borxhe, që shndërrohen në fajde. Sa familje kanë dalë në rrugë të madhe, viktima të kësaj plage, kujtoi me hidhërim të thellë Papa, i cili kërkoi të lutemi që në këtë Jubile, Zoti ta zhdukë nga zemrat e të gjithëve dëshirën për të fituar sa më shumë nga fajdeja:

“Sa njerëz përfundojnë të vetëvrarë, sepse nuk ia dalin mbanë e nuk kanë shpresë. Nuk kanë një dorë të shtrirë, që t’i ndihmojë. Vetëm një dorë shtrihet drejt tyre: ajo, që u kërkon të paguajnë interesat. Është mëkat i madh fajdeja, mëkat, që arrin deri te froni i Zotit. Ndërsa Zoti i premton bekimin atij, që e hap dorën për të dhënë me begati. E Zoti do t’i japë dyfishin, ndoshta jo në para, por në gjëra të tjera. Zoti do t’i japë gjithnjë dyfishin e asaj, që dhuroi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.