2016-02-10 14:23:00

Krezhmët na kujtojnë se jeta është betejë pafund.


Në qendër të vëmendjes së kësaj dite, me të cilën fillon Koha e Krezhmëve, është riti simbolik i përhimjes, me fjalët që e shoqërojnë. Një rit i tillë na kujton qortimin e Joelit Profet, sipas të cilit gjesteve të jashtme, karakteristike për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca e veprave, sepse ç’vlerë ka të copëtosh rrobat, kur zemra mbetet larg nga Zoti, dmth nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të vërtetë, është të kthehesh tek Zoti me shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën e tij. 

Një shpirt të ri e një zemër të re – këtë kërkojnë besimtarët sot me fjalët e Psalmit pendestar ‘Miserere’ – duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë, i vetëdijshëm se është mëkatar, dëshiron me gjithë vetveten – shpirt, zemër e korp – të meritojë mëshirën hyjnore që e bën krijesë të re e i kthen gëzimin dhe shpresën.

Një aspekt tjetër i përshpirtërisë krezhmore, është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër shpirtit të së keqes. Çdo ditë,  e posaçërisht në Kohën e Krezhmëve, i krishteri duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë, ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur mundi tundimin e mbram, duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit. Është një betejë shpirtërore, betejë kundër mëkatit e kundër shejtanit, zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen, sjellin vdekjen.

Krezhmët  na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë pafund. Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët lutjes, të agjërimit e të pendesës.  Ndjekja e Krishtit  i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie të rreme. Përgjigja e atij që ndjek Krishtin është të ecë në rrugën e zgjedhur nga Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, por më të frytshëm të dashurisë. Në gjurmët e Tij e të bashkuar me Të, të gjithë duhet të impenjohemi t’i kundërvihemi së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë”.

 “Dashuria  e Krishtit na  nxit” (2 Kor 5, 14) - thotë Shën Palit, duke na kujtuar se në Jezusin vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, gjë që duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”. E dashuria duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos të më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është në qiell, shikon edhe  në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje, përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë  është një nga elementet themelore të jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë e botës,  që njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell. Në kohën e Krezhmëve dëgjojmë si  jehon sërish ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit – gjë  që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu, të gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë pendesës, agjërimit e vëmendjes ndaj vëllezërve, të ecim drejt Pashkëve, në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë të Krishtit.

Kështu pra, në Romë e në të gjitha kishat katolike të botës, të mërkurën e kaluar nisi koha e përgatitjes për Pashkë. Kisha na fton kryesisht të rikthejmë tek Zoti. E kthimi ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për ta dashur më shumë Zotin e vijon me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për të afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet kaq shumë për tensione, gjakmarrje, urrejtje, dhunë. Krezhmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt Pashkëve të ngjalljes!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.