2016-02-08 12:34:00

Françesku: misionar i paqes në Meksikë për të përqafuar njerëzit, që vuajnë


“Vij si misionar i mëshirës e i paqes”.  Katër ditë para shtegtimit apostolik në Meksikë, Papa Françesku i drejton një video mesazh popullit meksikan, në të cilin nënvizon se dëshira e tij më e madhe është të përqafojë njerëzit e, posaçërisht, ata që vuajnë. Papa kujton edhe një herë devocionin e tij bijnor për Virgjërën Mari si dhe gëzimin e madh që ndjen në prag të vizitës së tij në Shenjtëroren e Gudalupes.

“Qué pretende el Papa con este viaje?...”

“Çfarë dëshiron Papa me këtë shtegtim? Përgjigjja është e menjëhershme, kujton: dëshiroj të vij si misionar i mëshirë e i paqes; të takohem me ju për ta dëshmuar së bashku besimin tonë në Zotin e për të kujtuar bashkë të vërtetat themelore të jetës sonë: se Zoti na do shumë, se na do me një dashuri të pakufishme, pa  marrë parasysh meritat, as ligështitë tona. Papa nënvizon se dëshiron të qëndrojë sa më pranë njerëzve, në mënyrë të posaçme, pranë atyre që vuajnë, për t’i përqafuar e për t’u thënë se Jezusi i do shumë, se Ai është gjithnjë përkrah tyre.

“Me alegra saber ques se están preparando para al viaje con mucha oración…”

Gëzohem kur mësoj, vijon Papa, se ju po përgatiteni për këtë shtegtim, duke u lutur shumë. Lutja, vijon, e zgjeron zemrën tonë dhe e përgatit për të marrë dhuratat e Zotit. Lutja i shndrit sytë tanë, për t’i parë të tjerët ashtu si i shikon vetë Zotit e për t’i dashur, si i do Zoti. E, më pas, i falënderon të gjithë ata, që luten për të, sepse, nënvizon, ka shumë nevojë. Më pas Françesku kujton edhe një nga dëshirat e tij më të mëdha: të vizitojë Shtëpinë e Zojës së Bekuar.

“Como un hijo más me acercaré a la Madre…”

“Si një bir më shumë, pohon, do t’i afrohem Nënës e do të vë tek këmbët e saj gjithçka kam në zemër. Është gjë e bukur, shton, të vizitosh shtëpinë amtare e të ndjesh praninë e saj dashamire, Do ta shikoj drejt në sy e do t’i lutem të mos pushojë kurrë së na shikuari me mëshirë, sepse Ajo është Nëna jonë e Qiellit. Asaj, përfundon Papa, ia besoj tani shtegtimin tim e edhe ju të gjithëve, vëllezër të dashur meksikanë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.