2016-02-06 18:12:00

Takimi Françesku-Kirilli. Atë Destivelle: hapet një faqe e re historie


Pati jehonë botërore lajmi i takimit historik të Papës Françesku me Patrikun Kirill të Moskës dhe të gjithë Rusisë, më 12 shkurtin e ardhshëm, në Kubë. Ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, për të cilën na flet ati domenikan, Hyacinthe Destivelle, përgjegjës i seksionit lindor të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - C’est une rencontre qui est désirée et préparée depuis très longtemps ; il y avait des projets …

Është takim i dëshiruar dhe i përgatitur prej shumë, shumë kohe; projektet ishin që prej 25 vjetësh, por nuk arritën kurrë në port. Vitet e fundit marrëdhëniet u shpeshuan shumë, posaçërish duke nisur nga papnia e Françeskut. Patriku Kirill e pati shprehur prej kohe dëshirën ta takonte Papën Françesku, gati që prej zgjedhjes së tij; metropoliti Hilarion dha një kontribut të madh për realizimin e këtij projekti; vitin e kaluar erdhi në Vatikan disa herë….

Pyetje: - Punë, kjo, në të cilën kontribuoi edhe Papa Benedikti XVI, duke krijuar, sidomos, atmosferën e  besimit…

Përgjigje: - Oui, tout à fait … malheureusement, le projet n’a pas pu se réaliser lors du pontificat du Pape Benoît…

Po, është e vërtetë. Për fat të keq ky plan nuk mundi të realizohej gjatë papnisë së Benediktit. Çka e pati penguar deri më sot, ishte një farë frike e Patriarkanës së Moskës, druajtja nga “prozelitizmi” katolik në Rusi, frika edhe nga ajo, që e quajnë “metoda e uniatizimit”, posaçërisht në Ukrainë. Besoj se këto druajtje tashmë u kapërcyen e ortodoksët rusë e shikojnë se Kisha katolike nuk ka kurrfarë synimi të bëjë prozelitizëm në Rusi, e aq më pak, të rifillojë metodën e uniatizmit, domethënë të rikthimit në Kishën katolike të disa pjesëve të Kishës ortodokse. Aktualisht Kisha katolike përdor një metodë të ndryshme për arrtijen e unitetit, metodën ekumenike, metodë që nuk synon rianeksime. Sot kërkojmë një udhë, të cilën dëshirojmë ta bëjmë së bashku, udhë vëllazërie, bashkëpunimi në një mori fushash, udhë dialogu teologjik e edhe bamirësie, udhë e atij, që e quajmë “dialog i dashurisë së krishterë”… E gjithë kjo duhet të kontribuojë për afrimin njëri me tjetrin. Besoj se qëllimi i gjithë kësaj lëvizjeje ekumenike, i këtij procesi të unitetit, është të arrihet tek dita kur katolikë e ortodoksë do të Kungohen me të njëtin Korp e me të njëjtin Gjak të Krishtit: kjo është gjëja, që ka më shumë rëndësi!

Pyetje: - A mund të flitet për “normalizimin e marrëdhënieve”? Për një faqe të re, që hapet në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave?

Përgjigje: - Je pense qu’on peut tout à fait parler, oui, d’une nouvelle -phase: c’est à la fois un point d’arrivée …

Mendoj se mund të flitet për një fazë të re; kjo ngjarje është një pikarritjeje, sepse u deshën shumë vjet për ta  vënë në jetë këtë projekt; por është njëkohësisht edhe pikënisjeje në marrëdhëniet, në masën në të cilën tani mund të kemi marrëdhënie normale e të bazuara mbi besimin. Papa Françesku përpiqet për promovimin e kulturës së takimit, e ky takim do të jetë një çast posaçërisht i rëndësishëm në papninë e Françeskut: Kisha ortodokse ruse është tejet e rëndësishme në botën e krishterë. Është një nga Kishat më të mëdha; në Kishën ortodokse, zë vendin e pestë, duke pasur parasysh se “primus inter pares”(i pari ndërmjet të barabartëve) në ortodoksí – Patriarkana Ekumenike, e prej këndej, Patriku Bartolomeu, Patrik i Kostandinopojës, gëzon parinë e nderit në plenumin e Kishave ortodokse; natyrisht Selia e Shenjtë ka lidhje të veçantë me Patriarkanën Ekumenike që, më duket, nuk mund të krahasohet me asnjë marrëdhënie me ndonjë Kishë tjetër ortodokse. Nuk duhet harruar edhe se, për numrin e besimtarëve, Patriarkana e Moskës ka rëndësi të posaçme përsa u përket marrëdhënieve ekumenike, sepse përfshin pothuajse 1/3 e botës ortodokse.

Pyetje: - Me rastin e takimit të 12 shkurtit parashikohet edhe nënshkrimi i një Deklarate të përbashkët. Çfarë duhet të presim?

Përgjigje: - C’est une Déclaration commune qui vraisemblablement reprendra les thèmes qui sont …

Është Dekaratë e përbashkët që, me gjasë, do të rishqyrtojë temat posaçërisht të dashura për dialogun ekumenik katoliko-ortodoks në përgjithësi. Nuk është deklaratë, që përqendrohet mbi një aspekt të veçantë teologjik; nuk është deklaratë, që hap perspektiva teologjike të veçanta, sepse dialogu teologjik zhvillohet në kuadrin e Komisionit ndërkombëtar të dialogut teologjik të Kishës katolike e asaj ortodokse në tërësinë e saj. Në deklaratë flitet për fushat e bashkëpunimit e të dialogut, që nuk kanë karakter teologjik por që, megjithatë, janë shumë të rëndësishme në afrimin e dy Kishave: për çështjen e persekutimit të të krishterëve në Lindjen e Mesme, çështjen e familjes, çështjen e shekullarizmit, rolit të të krishterëve në shoqëritë e shekullarizuara, çështjen e të rinjve, jetës, në vështrim të përgjithshëm…të gjitha këto aspekte kanë rëndësi të veçantë, posaçërisht për dialogun me Kishën ruse.

Pyetje: - Sot jemi para një sfide reale: të flasim e të punojmë së bashku…

Përgjigje: - Oui. Toute l’idée de cette rencontre et sans doute de la Déclaration également, c’est que …

Po, koncepti bazë i këtij takimi, e edhe i  Deklaratës, është sigurisht  të pohohet se jemi vëllezër, në veçanti, vëllezër të vëllezëve ortodoksë, me të cilët kemi të përbashkët të njëjtën trashëgimi apostolike, të njëjtin konceptim për Kishën, të njëjtin koncept për Sakramentet: ne i njohim të gjitha Sakramentet ortodokse e ortodoksët i njohin të gjitha Sakramentet  katolike. Prandaj interesohemi shumë të punojmë së bashku, për ta dëshmuar së bashku Krishtin. Ja, pra, në fund të fundit, cili është qëllimi i këtij takimi të Patrikut Kirill me Papën Françesku: të dëshmojnë së bashku krishterimin në botën e sotme!  








All the contents on this site are copyrighted ©.