2016-02-05 12:55:00

Papa Françesku: Zoti fiton me stilin e përvujtërisë


“Stili i Zotit nuk është stili i njeriut”, sepse Zoti fiton me përvujtëri, siç e tregon fundi i më të madhit ndër Profetë, Gjon Pagëzuesit. Kështu e komentoi Papa Françesku Ungjillin e ditës, gjatë Meshës kremtuar në Shën Martë.

Më i madhi i burrave, i drejti e shenjti, që i përgatiti njerëzit për të arritur tek Mesia, i mbaron ditët e jetës me kokë të prerë, në errësirën e thellë e të frikshme të një qelie, i vetëm, i dënuar nga urrejtja hakmarrëse e një mbretëreshe të zvetënuar e nga poshtërsia e një mbreti qole.

I fundmi i profetëve

E megjithatë, Zoti fiton, komentoi Françesku, duke rilexuar, në homeli, Ungjillin, i cili flet për fundin e Gjon Pagëzuesit:

“Gjon Pagëzuesi, ‘burri më i madh i lindur prej gruaje’: kështu thotë formula e  shenjtërimit të Gjonit. E këtë formulë nuk e tha ndonjë papë, e tha vetë Jezusi. Ky njeri është burri më i madh i lindur nga gruaja. Shenjti më i madh: kështu e shenjtëroi Jezusi. E megjithatë, përfundon në burg, kryepremë, e faza e tij e fundit tingëllon si shprehje e nënshtrimit: “Dishepujt e Gjonit, si e morën vesh ngjarjen, erdhën, e mbartën kufomën dhe e varrosën. Kështu mbaron burri më i madh, i lindur nga gruaja. Profeti i madh. I fundmi i profetëve. I vetmi, të cilit iu lejua ta shohë shpresën e Izraelit”.

Sfilitja e më të madhit

Françesku nuk ndalet vetëm me rileximin e Ungjillit. Provon të hyjë në qelinë e Gjonit, madje t’i hyjë burrit të madh në shpirt e t’ia dëgjojë përsëri atë zë, që bërtiti në shkretëtirë e që pagëzoi turmat e pafundme, në emër të Krishtit, që duhet të vinte. E tani Papa e shikon këtë burrë të mbërthyer  jo vetëm me zinxhirët e burgut, por edhe me vargonjtë e ndonjë  pasigurie, që e sfilit, pas gjithë asaj gjëme:

“Ai vuajti në burg edhe nga tortura shpirtërore e dyshimit: ‘A thua gabova? Ky mesi nuk është ashtu si e përfytyroja se duhet të ishte’ . E i çoi dishepujt ta pyesin Jezusin: ‘Pa na thuaj, na thuaj të vërtetën, je ti, që duhet të vish?’, sepse ky dyshim e brente përbrenda, duke i rënduar më shumë se barra e zinxhirëve, që i hapnin plagë. Thua gabova, duke kumtuar një, që nuk është? E gënjeva, thua, popullin?”…

Ndjekim vuajtjen, vetminë shpirtërore të këtij burri të madh … mendimin: ‘Unë duhet të ulem, të zvogëlohem, të zvogëlohem, në shpirt, në korp, në  gjithçka….

Përvujtëri, deri në fund të fundit

 “Të zvogëlohem, të zvogëlohen, të zvogëlohem…”, kështu ishte jeta e Shën Gjonit, përsëriti Françesku,  atij burri të madh, që nuk kërkon lavdi për vete, por për Zotin, e që përfundon në një mënyrë tejet prozaike, në vetmi e harresë, emërshuar në dukje… Por pikërisht me këtë sjellje, përfundoi Papa, i përgatiti rrugën Jezusit, që vdiq në të njëjtën mënyrë, i mbërthyer nga ankthi, i vetëm, pa dishepujt”:

“Do të na bëjë mirë ta lexojmë sot këtë fragment të Ungjillit, Ungjillit të Markut, Kapitulli VI. Ta lexojmë fragmentin, të shikojmë si fiton Zoti: stili i Zotit nuk është stil njeriu. T’ia kërkojmë Zotit hirin e përvujtërisë që kishte Gjoni e të mos i bëjmë tona meritat a lavditë e të tjerëve. E, sidomos, hirin që në jetën tonë të ketë gjithnjë vend, ku të rritet Jezusi e ne të ulemi, të zvogëlohemi, deri në fund të fundit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.