2016-02-05 15:07:00

Fundjava në Vatikan e në Kishën universale


Vatikan: Sot besimtarët e shumtë u mblodhën përsëri rreth Papës për lutjen e Engjëllit të Tënzot, në një Shesh të zhveshur nga stolitë e Festave të Mëdha të dimrit. Së pari u zhvendos Bredhi i Krishtlindjes. Pastaj ishte radha e Shpellës, ardhur nga Trento e tashmë për udhë drejt  Betlehemit. Të duket se vetë Krishti shtegton drejt Lindjes së Mesme, për t’u rikthyer nga Roma, në shtëpinë e vet.

Po kjo nuk e pakëson entuziazmin  festiv të takimit. Besimtarët ndoqën komentet e Françeskut për leximet e së dielës, duke nisur nga leximi i parë, shkëputur nga Libri i Izaisë (Is 6,1-2,3-8), profetit, që vijon të na kujtojë, nga thellësia e shekujve: “Për ta kumtuar Zotin, duhet ta njohësh. E për ta njohur, duhet që Ai të dëftohet”.

Të tre leximet përqendrohen pikërisht tek zbulesa e tek thirrja për mision. Përballë Zotit njeriu e ndjen veten mëkatar, por njëkohësisht ndjen edhe thirrjen t’ua kumtojë të gjithë njerëzve shenjtërinë e Zotit.

Jemi në Vitin Shenjt të Mëshirës  prej këndej, zëri i Jezusit jehon fuqimisht e na fton të marrim mbi shpinë kryqin tonë e ta ndjekim.

Papa kujtoi, ndërmjet tjerash, edhe Ditën e 38-të italiane për jetën. Për këtë rast, Konferenca ipeshkvnore italiane ka shpërndarë një mesazh që më 2 tetor 2015, ndërsa sot, në Kishën e Shën Marisë në Traspontinë, u kremtua një Meshë shenjte, në përfundim të së cilës besimtarët u nisën drejt Sheshit të Shën Pjetrit për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Kubë, Takim historik: Papa Françesku e Patriku Kirill do të takohen më 12 shkurt, në Kubë

Papa Françesku dhe Patriku Kirill i Moskës dhe i gjithë Rusisë do të takohen, më 12 shkurtin e ardhshëm, në Kubë, ku Papa do të ndalet para se të vijojë shtegtimin drejt Meksikës e ku Patriku do të jetë për vizitë zyrtare. Njoftimin e dhanë, me gëzim, përmes një komunikate të përbashkët, Selia e Shenjtë dhe  Patriarkana e Moskës të premten e kaluar.

Në një takim, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, lexoi pjesën qëndrore të Komunikatës:

“Ky takim i Primatëve të Kishës katolike e të Kishës ortodokse ruse, i përgatitur prej një kohe të gjatë, do të jetë i pari në histori e do shënojë një etapë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave. Selia e Shenjtë dhe Patriarkana e Moskës, urojnë që të jetë edhe shenjë shprese për mbarë njerëzit vullnetmirë.  I ftojnë të krishterët t’i luten me gjithë shpirt Zotit, që ta bekojë këtë takim  e që të ketë fryte të mira”.

SHBA: duke nisur që sot e deri më 14 shkurt, në SHBA do të kremtohet Java kombëtare për martesën, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore vendase. Me këtë rast është vënë në rrjet një material ndihmës me të dhëna statistikore  të përditësuara, që vënë në pah pazëvendsueshmërinë e martesës tradicionale për çiftin, fëmijët e shoqërinë, marrë së bashku. “For jour Mariage” – “Për martesën tënde”, titullohet materiali, pasuruar edhe me një video, që pasqyron karakterin e pashoq të martesës. Së fundi,  më 12 shkurt, do të kremtohet një ditë lutjeje pikërisht për mbrojtjen e martesës.

Romë: Dje, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u kremtua Jubileu i Grupeve të lutjes së Atë Piut, i punonjësve të Shtëpisë së Lehtësimit të Vuajtjes dhe besimtarëve të kryedioqezës Manfredonia-Vieste-San Giovanni Rotondo, kryesuar nga Papa. Kremtimi nisi në orën 9.00, ndërsa Françesku arriti në orën 10.30.

E po dje, nisën në Romë dhe kremtimet e Jubileut të Mëshirës për çlirimin e skllevërve të sotëm, që bie më 8 shkurt. Është dita kur Kisha kujton skllaven zezake, Jozefina Bakhita, lartuar në nderimet e elterit, duke u bërë pajtore qiellore e njerëzve, që vijojnë të shiten e të blihen tregjeve të turpit nëpër vende, që e konsiderojnë veten të zhvilluara, kështjella të përparimit njerëzor. Me këtë rast në bazilikën romake të  Zemrës së Krishtit  u kremtua një Meshë shenjte, shoqëruar me këngë, reflektime  e  dëshmi, me qëllim që bota të bëhet më e vetëdijshme për fenomenin  e tregtisë së njerëzve, skllevër të munduar të kohëve moderne, që flasin aq shumë për lirinë, ndërsa e mbrojnë aq pak.

Veprimtaria përfundoi me një shetgtim të shkurtër drej Portës Shenjte të Shtëpisë së dashurisë së krishterë, në rrugën romake Marsala, për të shprehur nevojën për pastrim, mëshirë e angazhim konkret, në përpjekjen për çlirimin e skllevërve të sotëm.

E sot, kremtimi eukaristik në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore dhe procesioni drejt Sheshit të Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Sllovaki: nesër, në Sllovaki, nis kremtimi i Javës kombëtare për martesën, me temë “Receta për një martesë të mirë”. Kjo javë u krijon të gjithëve një hapësirë për të reflektuar mbi arsyet, që e shtyjnë njeriun të krijojë këtë lidhje të shenjtë e të pazgjidhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.