2016-02-03 14:59:00

Atë Piu, Shenjt i popullit e i mëshirës


Është, pa dyshim, një nga çastet më të pritura të këtij Jubileu të Mëshirës: arriti sot, nga Pietrelçina, në Romë, trupi i atë Piut.

Me të, edhe reliket e Shën Leopoldit Mandiç që, të premten, pas një procesioni solemn e tejet prekës nëpër Udhën e Pajtimit, do të vendosen në Bazilikën e Shën Pjetrit, para Elterit të Dëshmisë.

Ngjarjes i paraprinë një mori nismash shpirtërore e kulturore, të lidhura me Shenjtin françeskan, duke nisur nga paraqitja e dokumentarit të CTV me titull: “Atë Piu, ndërtues i mëshirës” dhe  librit “Mëshira, në Atë Piun”, shkruar nga Stefano Campanella, për edicionet e Shën Palit. Gjatë paraqitjes, prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, nënvizoi se Atë Piu është frat rrëfyes, që e dëshmoi me gjithë jetën forcën e faljes së Zotit. Mjafton të kujtojmë se vetëm  gjatë vitit para se të vdiste, rrëfei 50 mijë pendestarë.

Ta ndjekim, së bashku, shtegtimin romak të atë Piut, që do të arrijë kulmin me kremtimin e kryesuar nga Papa, të shtunën e ardhshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, për Jubileun e  grupeve të lutjes së Shenjtit françeskan.

Nesër do t’ju njohim me programin e hollësishëm të kremtimeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.