2016-02-02 14:53:00

Shën Leopoldi Mandiç: dhembshuria e Zotit në rrëfyestore


Reliket e atë Pios nga Pietrelçina dhe të shën Leopold Mandiçit mbërrijnë nesër në Romë, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Do të vendosen në Bazilikën e Shën Pjetrit, nga 5 deri më 11 shkurt, e aty mund të nderohen nga të gjithë besimtarët. Ndoshta atë Pio është më i njohur për shqiptarët, prandaj sot po mundohemi të përvijojmë më mirë karizmën e shenjtit kroat, Leopold Mandiç. Ai lindi në Dalmaci në vitin 1866, jetoi për 30 vjet në Kuvendin e Kapuçinëve në Padovë dhe vdiq në vitin 1942. Ia kushtoi gjithë jetën Sakramentit të Pajtimit. Të dëgjojmë rektorin e shenjtërores së Shën Leopold Mandiçit në Padovë, atë Flaviano Giovanni Gusella:

         Atë Leopoldi është treguar nga papët, që e shpallën të lum dhe shenjt – Pali VI e shën Gjon Pali II – si njeri me karizëm të dyfishtë: ishte meshtar i jashtëzakonshëm – “ministër heroik i Pajtimit”, siç u quajt në homelitë e lumnimit e të shenjtërimit – e njëkohësisht, ishte profet i ekumenizmit shpirtëror. Atë Leopoldi ishte njeri i kulturuar, i ditur, inteligjent, njeri, që i trajtonte me zemër mëkatarët.

Çfarë u mëson sot rrëfyestarëve, atë Mandiç?

Sigurisht, gatishmërinë. Atë Leopoldi rrinte në rrëfyestore gjithë ditën: nga mëngjesi deri në darkë vonë. Nëse u kërkonte ndonjë gjë eprorëve, ishte për ta tejkaluar orarin e caktuar për rrëfimet, për të qenë gjithnjë në dispozicion të besimtarëve. Rrëfyestarëve të sotëm u mëson pikërisht këtë: gatishmërinë dhe besnikërinë ndaj karizmës e shërbimit të tij në Kishë. Nganjëherë, mëkatarët e penduar e ndjejnë nevojën, dëshirën, ta takojnë e ta gjejnë aty rrëfyestarin – siç thotë Papa Françesku në Bulën e shpalljes për Jubileun e Mëshirës – rrëfyestarin që të pret, të pranon, të duron, i gatshëm të mirëpresë, si imazhi i Jezusit – Bari i Mirë. Ky është qëndrimi bazë e themelor për rrëfyestarët. E pastaj, siç thotë gjithnjë Papa, shën Leopoldi ka aftësinë për të qenë fytyrë e mëshirshme, e ëmbël, atërore për të gjithë ata, që i afrohen Sakramentit të Pajtimit. Ashtu si bën Ati Qiellor në shembëlltyrën e Djalit Plangprishës.

E çfarë u thotë atyre, që i afrohen rrëfyestores?

Atë Leopoldi na fton të kemi besim. “Kij fe, kij besim – thoshte – mos kij frikë. E sheh, edhe unë jam mëkatar si ti. Nëse Zoti - të cilin e quante ‘Zotëria Hyj’ – nuk do të ma mbante dorën mbi krye, do të bëja si ti e edhe më keq”. Atë Leopoldi na fton ta kemi këtë besim të jashtëzakonshëm në një Zot, që është vetëm dashuri, vetëm falje, vetëm aftësi për mikpritje e ëmbëlsi, që dëshiron shumë të na përqafojë si bijtë e vet. S’kanë rëndësi mëkatet e gabimet. Zoti e sheh ndjetin tonë për të rifilluar nga e para, për të ndryshuar jetë, për t’u pajtuar me Të. E kjo i mjafton.

A mund të na tregoni ndonjë ngjarje nga jeta e atë Mandiçit?

Kur fitoi shpirtin e një të penduari në rrëfyestore, një nga Padova, i cili nuk rrëfehej prej kohësh: këtë po tregoj. Atë Leopoldi doli nga rrëfyestorja e, duke privilegjuar pikërisht të penduarin në krahasim me të tjerët, i tha: “Ejani, ejani ju zotëri”. Ky person, që nuk shkonte në rrëfyestore prej kohësh, hyn në rrëfyestoren e vogël – e cila është aty edhe sot, e paprekur, pavarësisht nga bombardimi i vitit 1944, siç pati parashikuar atë Leopoldi – e nuk dinte ku të ulej. Atëherë, u ul në karrigen e rezervuar për rrëfyestarin. Atë Leopoldi, pa thënë asgjë, u gjunjëzua para tij e kështu, në gjunjë, dëgjoi rrëfimin e të penduarit. Pastaj, personi e kuptoi që ishte ulur gabim e kërkoi falje, por atë Leopoldi e la të shkonte me një buzëqeshje vesh më vesh, pa e qortuar aspak. Ai burrë do të thoshte më pas: “Ky gjest ma fitoi zemrën”. E që atëherë shkonte të rrëfehej gjithmonë te atë Leopoldi.








All the contents on this site are copyrighted ©.