2016-02-01 14:38:00

Papa: të jemi të përvuajtur, plagët e korrupsionit shërohen me vështirësi


Përvuajtëria është rruga e shenjtërisë. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë u ndal në historinë e mbretit David, i cili, i vetëdijshëm për mëkatin e vet, i pranon poshtërimet, me besim në Zotin. Papa paralajmëroi sërish se Zoti e fal mëkatin, por “plagët e hapura nga korrupsioni vështirë se shërohen”.

Plagët e korrupsionit, vështirë se shërohen

         Mbretin David e ndan një hap nga korrupsioni, por Natani profet, i dërguar nga Hyji, i bën ta kuptojë të keqen, që kishte kryer. Edhe një herë, Papa e bazoi homelinë në figurën e këtij mbreti, mëkatar i madh, që u bë shenjt. Davidi ishte mëkatar, por jo i korruptuar, sepse, vërejti Ati i Shenjtë, i korruptuari as që e kupton mëkatin e vet:

         “Duhet një hir i veçantë për t’ia ndryshuar zemrën të korruptuarit. E Davidi, që kishte zemër fisnike, thotë: ‘Është e vërtetë, kam mëkatuar!’, pra, e njeh fajin e vet. E çfarë i thotë Natani? ‘Zoti ta fal mëkatin, por korrupsioni që ke mbjellur do të rritet. Ti vrave një të pafajshëm, për të mbuluar tradhëtinë bashkëshortore. Shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote’. Zoti e fal mëkatin, Davidi kthehet në udhën e Hyjit, por plagët e hapura nga korrupsioni vështirë të shërohen. E shohim në shumë anë të botës”.

Davidi mbret ia beson veten Zotit

         Davidi duhet të përballet me të birin, Absalomin, i cili tashmë, ishte korruptuar dhe i kishte shpallur luftë të atit. Por mbreti mblodhi të vetët e vendosi të largohet nga qyteti, duke e kthyer pas Arkën e Besëlidhjes, që të mos e përdorte Zotin për interesat e veta. Ikën, për të shpëtuar popullin. “E kjo – vërejti Papa Françesku – është rruga e shenjtërimit, që fillon Davidi, pas çastit kur kishte hyrë në korrupsion”. Duke derdhur lot, me kryet e mbuluar, e lë qytetin e ata që e shanin, ndër të cilët edhe Semei, që e thërriste “gjakatar” dhe e mallkonte. Davidi e pranon këtë, sepse, pohoi Papa, mendon se ai e mallkonte ngaqë kështu i kishte thënë Zoti:

         “Pastaj, Davidi u thotë shërbëtorëve të vet: ‘Ja, im bir, që ka dalë prej barkut tim, po e kërkon jetën time’. Absalomi. ‘E atëherë, këtë beniaminas lëreni të mallkojë në qoftë se Zoti i ka thënë të më mallkojë’. Davidi di t’i shohë shenjat: është çasti i përvuajtërimit, është momenti, në të cilin ai po paguan për fajin e vet. ‘Ndoshta Zoti e merr parasysh mjerimin tim e mallkimin e sotëm ma sjell në bekim’, thotë dhe e lë veten në duart e Zotit. Kjo është rruga e Davidit, nga çasti i korrupsionit deri në këtë lëshim në duart e Zotit. E kjo është shenjtëri. Kjo është përvuajtëri”.

Të krishterët të kërkojnë hirin e përvuajtërisë

         Mendoj, nënvizoi Papa, se secili prej nesh, kur ndokush i thotë ndonjë gjë të keqe, përpiqet të mbrohet, duke pohuar se s’është e vërtetë. Ose bëjmë si Semei, duke dhënë një përgjigje edhe më të shëmtuar. Vetëm përvuajtëria arrin deri në zemër, përmes përuljes. Nëse nuk jemi në gjendje t’i durojmë disa poshtërime në jetë, nuk bëhemi të përvuajtur. Është e thjeshtë, është “matematike”, theksoi Papa:

        “Rruga e vetme për tek përvuajtëria është përulja. Fundi i Davidit, që është shenjtëria, vjen përmes përvuajtërisë. Shenjtëria, që Zoti u dhuron bijve të vet, që i jep Kishës, vjen përmes përvuajtërimit të Birit të vet, që lejon ta shajnë e ta çojnë deri në Kryq – padrejtësisht… E ky Bir i Hyjit, që përvuhet, është rruga drejt shenjtërisë. Davidi, me sjelljen e tij, e profetizon poshtërimin e Jezusit. T’i lutemi Zotit, që secilit prej nesh e gjithë Kishës, t’i japë hirin e përvuajtërisë, por edhe hirin për të kuptuar se nuk mund të jemi të përvuajtur pa përulje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.