2016-01-30 10:00:00

Engjëlli i Tënzot, bashkë me fëmijët e "Karvanit të paqes"


Si zakonisht, nesër, në mesditë, Papa Françesku do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot, bashkë me besimtarët, në Sheshin e Shën Pjetrit. Të pranishëm, me harenë dhe gëzimin e tyre, fëmijët e të rinjtë e Veprimit Katolik të dioqezës së Romës, në përfundim të nismës “Karvani i paqes”.

         Tema e këtij viti për “Karvanin e paqes”, organizuar nga të rinjtë së bashku me edukatorët, prindërit dhe bashkëmoshatarët e shkollave e të famullive të kryeqytetit italian, është “Paqja ecën fort!”. Fëmijët mblidhen në orën 7.30 në sheshin e Kishës së Re, për të ndjekur meshën në kishën e Zojës në Vallicella. Pastaj, vihen për udhë drejt Shën Pjetrit, e në procesion, duke u lutur, kapërcejnë Portën Shenjte të Bazilikës, hapur për Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës. Së fundi, dëgjojnë Papën Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Dy prej fëmijëve do të lexojnë një mesazh paqeje për të gjithë fëmijët e botës nga dritarja e Atit të Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.