2016-01-29 13:14:00

Papa: mëkati të mos shndërrohet në korrupsion


T’i lutemi Zotit, që dobësia e shpirtit, e cila na shtyn drejt mëkatit, të mos shndërrohet në korrupsion. Këtë temë, për të cilën ka folur shpesh, vuri sot Papa Françesku në qendër të homelisë, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë tregoi historinë biblike të Davidit e Betsabesë, duke nënvizuar se, në ndryshim nga mëkatarët e tjerë, të korruptuarit nuk e ndjejnë nevojën e faljes së Zotit.

Zoti nuk më duhet

         Njeriu mëkaton në mënyra të ndryshme, tha Papa, por për gjithçka mund t’i kërkojë falje Zoti me sinqeritet, duke qenë i sigurtë se Hyji do ta falë, nëse është penduar me gjithë shpirt e nëse e ka riparuar dëmin e bërë përmes mëkatit. Problem janë të korruptuarit, nënvizoi Françesku. Njeriu i korruptuar nuk kërkon falje, nuk e ndjen mëkatin, sepse i mjafton pushteti mbi të cilin mbështetet korrupsioni i tij. Kjo është sjellja e Davidit mbret, kur dashurohet me Betsabenë, gruan e Urias, njërit prej komandantëve të vet, i cili luftonte larg. Papa kujtoi se pasi e josh gruan e pasi mëson se ajo kishte mbetur shtatzanë, Davidi arkitekton një plan, për ta mbuluar tradhtinë. E thërret Urian në shtëpi nga fronti, që të rrinte me gruan, por komandanti besnik nuk e konceptonte dot si mund të kthehej, kur shokët e tij të armëve vdisnin në betejë. Davidi e deh, por edhe kjo taktikë nuk pati rezultat:

         “Kjo i krijoi vështirësi Davidit, por ai tha: ‘Jo, jo, njëfarësoj do ta zgjidh punën…’ E shkroi një letër, siç e dëgjuam nga Leximi: ‘Dërgojeni Urian kapiten, në frontin e betejës më të ashpër, pastaj lëreni vetëm, që ta godasin e të vdesë’. E dënon me vdekje. Ky njeri besnik – besnik ndaj ligjit, ndaj popullit e ndaj mbretit të vet – është i shenjuar me dënim me vdekje”.

“Siguria”, që vjen nga korruptimi

         Davidin, vijoi Papa, e njohim si shenjt, por ai ishte edhe mëkatar. Bie pre e epsheve, por Zoti e donte fort, siç shihet më pas në Bibël. E megjithatë, vërejti Ati i Shenjtë, në çastin e tradhëtisë bashkëshortore, ndjehej kaq i fortë dhe i sigurtë, sa të bënte gjithçka kishte në dorë për të mos u zbuluar. E madje, dha urdhër të vritej një njeri besnik, duke e lënë të dukej si fatkeqësi lufte:

         “Ky është një çast i jetës së Davidit, të cilin mund ta kalojë secili prej nesh në jetën e vet: është kalimi nga mëkati në korrupsion. Këtu fillon Davidi, bën hapin e parë drejt korrupsionit. E ka pushtetin, e ka forcën. Prandaj, korrupsioni është mëkat më i lehtë për të gjithë ne, që kemi një farë pushteti, si pushtet kishtar, ashtu edhe fetar, ekonomik, politik… Sepse djalli na bën të ndjehemi të sigurtë: ‘Jam në gjendje ta bëj këtë’”.

Mëkatarë “po”, të korruptuar “jo”

         Korrupsioni – nga i cili Davidi largohet me hirin e Tënzot – e pati gërryer zemrën e atij “djali të guximshëm”, që në tregimin biblik, pati përballuar filisteun me një llastik e me pesë gurë. Sot, theksoi Papa Françesku, dua të nënvizoj se vjen një çast, kur përsëritja e vazhdueshme e mëkatit, ose pushteti, që kemi në dorë e që i bën të tjerët të na shohin me sy të mirë, e shndërron mëkatin në korrupsion:

         “Zoti fal gjithmonë, por një nga aspektet më të shëmtuara të korrupsionit është pikërisht fakti se i korruptuari nuk ka nevojë të kërkojë falje, nuk e ndjen fajin… Le të lutemi sot për Kishën - duke filluar prej nesh - për Papën, për ipeshkvijtë, për meshtarët, për të shuguruarit, për besimtarët laikë: ‘O Zot, na shpëto, na shpëto nga korrupsioni. Mëkatarë po, o Zot, jemi të gjithë, por të korruptuar, kurrë!’. Ta kërkojmë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.