2016-01-29 14:27:00

Papa Françesku: Evropa rrezikon ta humbasë frymën humaniste


Në një Evropë, që rrezikon ta humbasë frymën humaniste, Kisha të bazohet gjithnjë e më shumë në mëshirën e Krishtit e të lëvizë, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, i cili e përtërin: kjo është, në thelb, fjala e Papës Françesku para anëtarëve të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në përfundim të asamblesë së tyre të përgjithshme. Atin e Shenjtë e përshëndeti prefekti i dikasterit, kardinali Gerhard Ludwig Müller.

E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit

         “Mëshira – pohoi Papa Françesku – përbën arkitraun, që e mban jetën e Kishës: në fakt, e vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit”. Prandaj, gjatë Jubileut të jashtëzakonshëm, vërejti Ati i Shenjtë, duhen vënë në qendër të jetës veprat e mëshirshme të korpit e të shpirtit, që nuk janë devocion i thjeshtë, por shprehje konkrete e mënyrës, me të cilën të krishterët duhet ta jetojnë frymën e mëshirës. Edhe Kisha, nganjëherë, i ka harruar, prandaj duhet t’i mësojmë përsëri:

         “E kur, në perëndimin e jetës, do të na pyetet nëse i kemi dhënë të hajë të uriturit e të pijë, të eturit, njëlloj do të na pyetet nëse i kemi ndihmuar njerëzit t’i kapërcejnë dyshimet, nëse jemi impenjuar t’i mirëpresim mëkatarët, duke i qortuar e duke i ndrequr, nëse kemi qenë të aftë ta luftojmë injorancën, sidomos atë, që ka të bëjë me fenë e krishterë e me jetën e mirë”.

Feja nuk është vetëm njohuri, por e vërtetë për t’u jetuar

         Mëshira “efektive” e Zotit, nënvizoi më tej Papa, në Jezusin, u bë mëshirë “afektive”, sepse Krishti u bë njeri për shpëtimin e njerëzve. Këtu e ka bazën dhe arsyen, detyra që i është besuar Dikasterit për Doktrinën e Fesë:

         “Vërtet, feja e krishterë nuk është vetëm njohuri për t’u ruajtur në kujtesë, por e vërtetë për t’u jetuar me dashuri. Prandaj, së bashku me doktrinën e fesë, duhet të ruajmë edhe integritetin e zakoneve, veçanërisht në fushat më delikate të jetës. Pranimi me fe i Krishtit përfshin si aktin e arsyetimit, ashtu edhe përgjigjen morale ndaj dhuratës së tij. Për këtë, ju falenderoj për impenjimin e përgjegjësinë, me të cilat trajtoni rastet e abuzimit të të miturve nga ana e klerit”.

Evropa rrezikon ta humbasë shpirtin humanist

         Kujdesi për integritetin e fesë dhe të zakoneve “është detyrë delikate”, shtoi Papa Françesku. Ajo kërkon impenjim të përbashkët nga ana e gjithë Kishës, kërkon sinodalitet në të gjitha nivelet e jetës kishtare. Papa kujtoi se vitin e kaluar u organizua një takim me përfaqësuesit e Komisioneve doktrinore të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, për të përballuar së bashku disa sfida doktrinore e baritore:

         “Në këtë mënyrë, ju kontribuoni në zgjimin e një hovi të ri misionar ndër besimtarë dhe në hapjen më të madhe ndaj përmasës transhendente të jetës, pa të cilën, Evropa rrezikon ta humbasë atë shpirt humanist, që megjithatë, e do dhe e mbron. Ju ftoj ta vazhdoni e ta intensifikoni bashkëpunimin me organe të tilla këshillimore, që ndihmojnë Konferencat Ipeshkvnore dhe ipeshkvijtë e veçantë në kujdesin e tyre për një doktrinë të shëndoshë, në kohë ndryshimesh të shpejta e ndërlikimesh në rritje të problematikave”.

Kisha të ndjekë Shpirtin Shenjt e të përtërihet

         Kogregata për Doktrinën e Fesë, nënvizoi më pas Ati i Shenjtë, ka dhënë kontribut të çmuar edhe në studimin, që vë në dukje se dhuratat hierarkike e ato karizmatike plotësojnë njëra-tjetrën. Bashkimi, pavarësisht nga format e shumta të shprehjes së karizmave, është vula e një Kishe, e cila ndjek Shpirtin Shenjt dhe përtërihet vazhdimisht mbi bazën e objektivave, që i vë përpara Zoti i Ringjallur gjatë historisë, tha Papa:

         “Sipas logjikës së bashkimit, pavarësisht nga ndryshimet e ligjshme – logjikë, që karakterizon çdo formë të vërtetë bashkimi në Popullin e Zotit – dhuratat hierarkike e karizmatike janë të thirrura të bashkëpunojnë në sinergji për të mirën e Kishës e të botës. Dëshmia e këtij komplementariteti është sot urgjente më shumë se kurrë dhe përfaqëson shprehjen e qartë të formave të shumëllojshme të organizuara, që karakterizojnë çdo ind shoqëror, si reflektim i bashkimit harmonik, që jeton në zemrën e Zotit, Njini dhe Trini”.








All the contents on this site are copyrighted ©.