2016-01-28 13:40:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti i Jezusit e mëshira


Pasi ju folëm për mënyrën si konceptohet mëshira në Besëlidhjen e vjetër, sot vijojmë me të rejat, që solli Jezu Krishti, edhe në këtë fushë.

 

         Jezusi bën një hap cilësor: vjen për të na rrëfyer përfundimisht kush është Zoti. Ai vetë, i pari, përdor dhembshuri për njerëzit, që takon, sidomos ndaj të sëmurëve e të varfërve. Por jo vetëm kaq: ndërhyn, vepron. E rrëfen se Zoti është Atë, që kujdeset për bijtë e vet. Ai na tregon shembëlltyrën e Birit Plangprishës (Lk 15,11-32), të cilën, me të drejtë, mund ta quajmë “e Babait të ekzagjeruar”.

         Jezusi flet për dy bij, që mendojnë keq për të atin. Më i riu mendon se ky atë - i cili personifikon Zotin - është diktator, që s’e lë të marrë frymë. E kështu, ikën nga shtëpia, duke marrë pjesën e tij të trashëgimisë, e shpenzon krejtësisht dhe përfundon keq. Djali tjetër, vëllai i madh, mendon se Zotin duhet ta marrë me të mirë, se duhet t’i bindet edhe kur nuk do, prandaj, sillet mirë, megjithëse është i trishtuar dhe e mbyt ndjenja e detyrës. E dimë të gjithë si përfundon shembëlltyra: Ati e pret krahëhapur djalin e vogël, i cili nuk është penduar, por kthehet se ka uri. Ky baba i kërkon edhe djalit të madh të festojë.

         Ja pra, Zoti është kështu: nuk të mbyt, nuk të imponohet, nuk kërkon t’i shërbesh hundë e buzë. Është Atë, që dëshiron të përqafojë e të festojë me bijtë e vet, të cilëve u mëson të jenë njerëz të vërtetë. Fatkeqësisht, edhe ndërmjet të krishterëve, ka nga ata, që mendojnë se Zoti na ndrydh e na mbush me detyrime. Jezusi është kundër kësaj ideje: na thotë se Zoti ka një plan mirësie e drite për ne. Ne mund ta refuzojmë e të mos pyesim për të, mund të ecim në rrugë të tjera e të biem në humnerën e mëkateve, por Zoti na pret gjithmonë. Seriozisht!

         Për Hyjin, lumturia e bijve të vet është diçka serioze! Zoti nuk është Plaku i Vitit të Ri, i parrezikshëm e vetëm i mirë, por është si babai apo nëna, të cilët na kanë vërtet për zemër e, nëse është e nevojshme, na shkundin mirë për të mos na lënë t’i bëjmë keq vetes.

         Kur zgjedhim anën e errët të vetvetes, mëkatin, ka rrezik të vdesim në shpirt. Këtu e ka të keqen mëkati: sepse na bën keq, jo sepse kështu dashka Zoti! Kjo është fytyra e vërtetë e Hyjit: Jezusi vdiq në Kryq për të na e thënë këtë e kurrë, nuk ndryshoi mendje!

         Nëse na tërheq ky Zot, nëse duam të bëhemi miqtë e dishepujt e tij, Jezusi na fton të bëjmë si Ai, që u përkul mbi gjithë të vuajturit. Na fton të imitojmë samaritanin e shembëlltyrës tjetër të Ungjillit (Lk 10,25-37), që konsiderohej armik nga hebrenjtë e shihej me përbuzje prej tyre, por ndalet në rrugë për të ndihmuar një njeri të gjorë të rrahur nga hajdutët, e mbart dhe e çon në vendin më të parë, ku mund të kurohej. Sillet ndryshe nga meshtari e nga besimtari, që rrinë larg e vijojnë rrugën, duke shikuar punët e tyre. Jemi të thirrur të imitojmë Atin Qiellor, që nuk pyet për racën e për ngjyrën e lëkurës, as për gabimet e fajet tona, por na mbart e na çon gjithmonë në udhën e shërimit.

         Kjo është mëshira, për të cilën flet Papa Françesku. Ka të bëjë me dhembshurinë, jo me keqardhjen e thjeshtë. Do të thotë ta vesh veten në vendin e tjetrit e të gjesh zgjidhje për gjendjen e tij, ashtu siç bën samaritani i shembëlltyrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.