2016-01-28 11:52:00

Papa: i krishteri e ka zemrën e madhe e mirëpret të gjithë


Zemra e të krishterit është e madhe, sepse ai është bir i një Ati shpirtmadh e i hap krahët për t’i mirëpritur të gjithë me bujari. Në një çast kur e gjithë Evropa po mendon si t’ua mbyllë dyert refugjatëve, që ikin nga lufta, e kur edhe Suedia, tradicionalisht mikpritëse, nuk pranon 55% të kërkesave për azil politik, fjalët e Papës në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, nuk duhen konsideruar koment i thjeshtë. Sot, së bashku me Atin e Shenjtë, ishin të pranishëm edhe disa meshtarë, që festonin 50-vjetorin e shugurimit.

I krishteri është dëshmitar i dritës së Zotit

Papa komentoi Ungjillin e ditës, në të cilin Jezusi thotë se drita nuk vjen, që njerëzit ta fshehin poshtë shtratit, por që ta vendosin mbi shandan për të ndriçuar. Misteri i Zotit është pikërisht drita, e cila nuk duhet mbajtur vetëm për vete:

“E ky është një nga tiparet e të krishterit, i cili ka marrë dritën e Pagëzimit e duhet ta japë. Pra, i krishteri është dëshmitar. Dëshmia është një nga veçoritë e sjelljes së krishterë. I krishteri që mbart këtë dritë duhet t’i lejojë të tjerët ta shohin, sepse ai është dëshmitar. Kur preferon të mos e tregojë dritën e Zotit, por të rrijë në errësirën e vet, ajo i hyn në zemër, sepse ka frikë nga drita dhe idhujt, që janë errësirë, i pëlqejnë më shumë. Atëherë diçka i mungon e s’është i krishterë i vërtetë. Dëshmi: i krishteri është dëshmitar i Jezu Krishtit, i Dritës së Zotit. E duhet ta vendosë dritën në shandanin e jetës së vet”.

I krishteri është shpirtmadh: humb, për të fituar Krishtin

 Në Ungjill, Jezusi thotë: “Me atë masë, që keni matur, me atë do t’ju matet edhe juve; madje, do t’ju jepet më shumë”. Një tjetër tipar i të krishterit, komentoi Papa, është shpirtmadhësia, sepse është bir i një Ati Qiellor shpirtmadh:

 “Zemra e të krishterit është e madhe. Është e hapur, gjithmonë. Nuk është zemër, që mbyllet në egoizmin e vet. Ose llogarit: deri këtu, deri atje. Kur hyn në dritën e Jezusit, kur zë miqësi me Jezusin, kur e lë Shpirtin Shenjt ta udhëheqë, zemra hapet, bëhet e madhe… Në atë pikë, i krishteri nuk fiton, por humb. Ama humb, për të fituar diçka tjetër, e me këtë “disfatë” – në thonjëza – për interesat e veta, fiton Jezusin, fiton, duke u bërë dëshmitar i Jezusit”.

Faleminderit meshtarëve, që kanë dhuruar dritë

Papa Françesku iu drejtua, më pas, meshtarëve, që kremtonin 50-vjetorin e shugurimit:

“Për mua është gëzim i madh të festoj sot me ju, që mbushni 50 vjet meshtari: 50 vjet në udhën e dritës e të dëshmisë, 50 vjet, duke u përpjekur të jeni më të mirë e ta çoni dritën në shandan: nganjëherë bie, por provojmë edhe një herë, gjithnjë me vullnetin për ta dhuruar dritën me bujari, pra me shpirtmadhësi. Zoti e kujtesa juaj e di sa e sa njerëz keni pritur me shpirtmadhësi, me mirësinë e babait e të vëllait… Sa e sa njerëzve, që e kishin zemrën disi të errët, u keni dhuruar dritë, dritën e Jezusit. Faleminderit. Faleminderit për gjithçka keni bërë në Kishë, për Kishën e për Jezusin”.

Zoti u dhashtë gëzimin për gjithçka, që keni mbjellë mirë, që e keni shndritur mirë e për sa herë keni hapur krahët për t’i pritur të gjithë me shpirtmadhësi, përfundoi Papa, homelinë e meshës.








All the contents on this site are copyrighted ©.