2016-01-26 14:03:00

Papa e Rouhani biseduan mbi vlerat e përbashkëta e marrëveshjen bërthamore


Sot, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Ati i Shenjtë Françesku priti në audiencë Shkëlqesinë e Tij Hassan Rouhani, President i Republikës Islamike të Iranit, i cili më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Hirësinë e Tij, Kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Paul Gallagher.

Gjatë bisedimeve të përzemërta, u vunë në dukje vlerat shpirtërore të përbashkëta dhe pastaj u fol për nivelin e mirë të marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Islamike të Iranit, për jetën e Kishës në vend dhe për nismat e Selisë së Shenjtë në favor të promovimit të dinjitetit të njeriut e të lirisë fetare.

Në vijim u fol mbi nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes Bërthamore e u nënvizua roli i rëndësishëm që Irani duhet të ketë, së bashku me vendet tjera të Rajonit, në promovimin e zgjidhjeve të përshtatshme politike ndaj problematikave që e mundojnë Lindjen e Mesme, duke kundërshtuar përhapjen e terrorizmit e të tregtisë së armëve. Lidhur me këtë, u përkujtua rëndësia e dialogut ndërfetar dhe përgjegjësia e komuniteteve fetare në promovimin e pajtimit, të tolerancës e të paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.