2016-01-26 16:35:00

Në festën e Kthimit të shën Palit, në Kosovë u përkujtua përhapja e krishterimit në Dardani


Në festën e Kthimit të shën Palit, kremtuar dje më 25 janar, në Prishtinë, u përkujtua edhe përhapja e krishterimit në Dardani, qysh në epokën apostolike. Siç dëshmon ne vepren "Ipeshkvia Shkup Prizren nëpëer shekujt" edhe historiani dom Gaspër Gjini , “ Iliriku ka hyrë në literaturën sakrale pikërisht me shën Palin Apostull. Mbështetja dhe arsyetimi me i mirë për një pohim të tillë janë fjalët e vetë Palit: »Kështu, qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit « (Rm 15,19. Por, ky nuk është fakti i vetëm i Apostullit që ka të bëjë me Ilirikun. Sepse, rreth vitit 66 ai i shkruan Titit që të vijë në qytetin e Nikopolit, ku kishte vendosur ta kalojë dimrin. “Kur ta dërgoj te ti Artemin ose Tihikun, hiq e eja tek unë në Nikopol, sepse atje vendosa të kaloj dimrin”.( Tit 3,12). Ky pra ishte qyteti më i njohur i Epirit, farë pranë Ilirikut. »Qytet i fitores«, i quajtur kështu në vitin 31 para Krishtit, atëherë kur themeluesi i tij Avgusti e mundi rivalin e vet Antonin. Nga ky qytet, Pali në pranverë e dërgon Titin në Dalmaci.(2 Tim 4,10)”. Kështu shkruan mes tjerash dom Gaspër Gjini në veprën e tij “Ipeshkvia Shkup Prizren nëpër shekuj”, po ne t’i kthehemi kremtimit të festës së Konvertimit të shën Palit, në Prishtinë, nga ku na njofton Rabie Ibraj....

Shën Pali Apostull kohe pas kohe simbolikisht kthehet ne Kosove

Me fuqi të Shpirtit të Zotit prej Jerusalemit e përqark, deri në Ilirik, kam kryer shërbimin e Ungjillit të Krishtit, kam përhap Lajmin e Gëzueshëm, në përpjekje të Ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit. Kjo fjali nga letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, kreu 15, rreshti 19, behet veçanërisht aktual me datën 25 janar, kur bie edhe festa e këtij Apostulli të dashur e të pranueshëm nga shqiptarët. Kjo festë fetare tashmë është bërë tradicionale në vendin tonë.

Kështu, Kisha katolike e Kosovës të hënën më 25 janar, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë kremtoi  me një meshë të veçantë rikthimin simbolik të Shën Palit Apostull në trevat tona. Kremtimin Eukaristik e udhëhoqi shkëlqesia e tij Imzot Dodë Gjergji ne bashkëmeshim me disa meshtarë të ardhur nga famullitë e ndryshme të Kosovës.

“Ndonëse në Kosovë ende kemi turbulenca te ndryshme shoqërore e politike, megjithatë ka shenja te një ri-zgjimi, të një thirrjeje për rikthim të Shën Palit Apostull simbolikisht në mesin e dardanëve të dikurshëm apo popullit të sotëm të Kosovës.  Është koha për ri-Ungjillëzim pas kaq shekujsh, rrethanat po e diktojnë një hap të tillë sepse çdo ditë e më shumë njerëzit këtu në forma të ndryshme po e kërkojnë identitetin e tyre shpirtëror të grabitur nga pushtuesit e njëpasnjëshëm brez pas brezi. Jemi dëshmitarë, e sidomos pas luftës së fundit në Kosovë se, është shtuar interesimi për Kishën Katolike dhe krishterimin, është shtuar dëshira për të besuar në Krishtin Zot”,  tha mes tjerash gjate predikimit, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Tashmë  ka shumë individ e familje të tëra që e kanë kënaqur shpirtin e tyre, por ka  edhe të tjerë në kërkim të kësaj dëshire shpirtërore, tha ai,  duke i përgëzuar për sinqeritetin e guximin e tyre.

Pas Meshës, atmosfera e kësaj feste vazhdoi te ndjehet edhe në një koktej rasti ne Rezidencën e Ipeshkvise, e veçanërisht të gëzuar dukeshin besimtarët  më të rijnë të cilët kohë më parë janë konvertuar dhe kanë marrë Sakramentin e Pagëzimit. Biseduam me dy motrat Gashi  nga rajoni i Drenicës:

Kaltrina  u shpreh  me këto fjale:  “Pesë vite pas kthimit tim ne katolicizem ne kohen e studimeve, jeta ime fetare dhe dëshmia ime janë të gjalla dhe të fuqishme, e kjo sa vjen e rritet çdo ditë. Edhe kthimi i Shën Palit më forcon sa herë që e lexoj apo kujtoj sepse e ndjej sikur kemi dëshmi të ngjashme, e ndjej po atë fuqi që ndjeu ai dhe po atë shpirt me të cilin ai predikoj. Shpirti i Zotit dhe vepra e Tij në mua ka një rritje të vazhdueshme e cila më bënë të lumtur si engjëjt në qiell, ndjej paqe po sikur ajo e Parajsës, ndjej po atë gëzim qe Shenjtërit e ndjejnë ne praninë e Zotit”.

Ndërsa motra e saj, Vlora tha:  “ Kjo feste e ngjalljes se shpirtit me perkujton jeten kur Hyji shuan terrin dhe rrite dritën shpirtërore, kur Hyji therret bijt e vet dhe dërgon ne misionin e dashurisë ne bote. Kur unë ndjej pranin e Krishtit dhe pyes “kush je Ti qe me ndryshon rrugën?” , Ai me përgjigjet “ Jam Hyji yt qe te njoh” Momenti kur Drita rritet dhe zemra ime hapet duke e pranuar qe te hyj brenda ne jetën time pikërisht për te mbjell fjalën e mishëruar ne bote me dashuri.

nga Rabie-Mrika Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.