2016-01-26 14:53:00

Françesku për Kreshmët: mëshirë në vend të manisë së madhështisë


Me veprat e mëshirës trupore e shpirtërore, populli i krishterë mund të zgjojë ndërgjegjen e sopitur para dramës së varfërisë e të hyjë në zemrën e Ungjillit, ku të varfërit janë të privilegjuar. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Kreshmët 2016, me temë: “‘Më pëlqen mëshira e jo flia’ (Mt 9,13). Veprat e mëshirës në udhën jubilare”.

         Dokumenti, i paraqitur sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, nga krerët e Këshillit Papnor “Cor Unum”, i nxit bijtë e Zotit të jenë të mëshirshëm e të mos verbohen nga pasuria e pushteti. “Mania e madhështisë” është fjala e përdorur nga Papa për ata, që i konsiderojnë të varfërit hedhurina të shoqërisë, duke ua mbyllur dyert. Ati i Shenjtë lajmëron gjithashtu, se do të dërgojë pikërisht gjatë Kreshmëve, misionarët e mëshirës, shenjë konkrete e faljes së Zotit.

Mesazhi për Kreshmët, ngushtësisht i lidhur me Jubileun e Mëshirës

         Mesazhi për Kreshmët është pra, ngushtësisht i lidhur me Jubileun e Mëshirës. “Mëshira e Zotit – shkruan Papa – e shndërron zemrën e njeriut dhe e bën të provojë dashurinë besnike hyjnore”, e cila, nga ana e saj, e bën njeriun të aftë të mëshirojë edhe ai të tjerët. “Feja jonë – vijon Ati i Shenjtë – të shndërrohet në akte konkrete e të përditshme, të destinuara ta ndihmojnë të afërmin në korp e në shpirt”, sepse për këto gjeste do të gjykohemi: “ta ushqejmë, ta vizitojmë, ta ngushëllojmë, ta edukojmë” të afërmin.

Veprat e mëshirës zgjojnë ndërgjegjen

         Falë veprave të mëshirës, nënvizon me bindje Papa, mund ta zgjojmë ndërgjegjen, e cila, nganjëherë, fle e sopitet para dramës së varfërisë. Në të varfërin, pohon Ati i Shenjtë, “korpi i Krishtit bëhet sërish i dukshëm si korp i martirizuar, i plagosur, i fshikulluar, i pangrënë, në ikje… për t’u njohur prej nesh, për t’u prekur e kuruar me kujdes”. Pikërisht duke u kujdesur për të varfërit, thekson Papa, e kuptojmë sa e madhe është dashuria e Zotit, sa i mëshirshëm është Ati Qiellor. Ndërkaq, është vërtet i varfër ai, që ka pasuri, por është skllav i mëkatit, i cili e nxit ta përdorë pasurinë e pushtetin, jo për t’i shërbyer Zotit e të tjerëve, por për të mbytur brenda vetes vetëdijën se edhe ai, s’është tjetër veçse një lypës i mjerë në këtë botë.

Të varfërit janë mundësi për t’u kthyer kah Zoti

         E sa më e madhe është pasuria, vëren Françesku, aq më i verbër bëhet njeriu. Arrin deri atje sa të mos e shohë Lazrin e varfër, që ia shtrin dorën para portës së shtëpisë e, nuk e kupton se ai është Krishti vetë, i cili “përmes të varfërve na lyp të ndryshojmë”. Ai Lazër, që na troket në derë, vijon Papa, “është mundësia për kthim, që na ofron Zoti e që ndoshta, nuk e shohim”. Verbim ky, që shoqërohet me maninë e madhështisë.

Të sëmura, shoqëritë që ua mbyllin dyert të varfërve

         Ky lloj deliri, lexohet në Mesazh, “mund të marrë edhe forma shoqërore e politike, siç treguan totalitarizmat e shekullit XX e, siç tregojnë sot ideologjitë e një mendimi të vetëm e të teknoshkencës, që pretendojnë ta bëjnë Zotin të papërfillshëm e ta reduktojnë njeriun në masë për t’u instrumentalizuar”. Papa Françesku tërheq vëmendjen ndaj atyre “strukturave të mëkatit, që lidhen me një model të rremë zhvillimi, bazuar mbi idhujtarinë e parasë, e cila i bën indiferentë për fatin e të varfërve njerëzit e shoqëritë më të pasura, që i mbyllin dyert, duke refuzuar edhe t’i shohin”. Këta njerëz nuk duan ta shohin Krishtin në të varfërit, “duke e dënuar kështu vetveten të zhyten në atë humnerë të përjetshme vetmie, që është ferri”.

Kreshmët janë kohë e favorshme për kthimin personal kah Zoti

         Për të gjithë, këshillon Papa, “Kreshmët e këtij Viti Jubilar janë kohë e favorshme për të dalë, më në fund, nga mënjanimi vetjak ekzistencial, falë dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe veprave të mëshirës”. Këto vepra janë trupore dhe shpirtërore, por nuk duhen ndarë kurrë. Vërtet, “pikërisht, duke prekur në të mjerin, korpin e Krishtit të kryqëzuar, mëkatari mund të marrë si dhuratë vetëdijen se ai vetë është një lypës i shkretë”. Përmes kësaj rruge, edhe mendjemëdhenjtë, të pushtetshmit e të pasurit për të cilët flet “Magnificat” – himni i Shën Marisë drejtuar Zotit për veprat, që realizoi përmes saj – “kanë mundësi ta kuptojnë se duhen pa meritë prej të Kryqëzuarit, vdekur e ngjallur për ta”. Të mos e humbim këtë kohë Kreshmësh, përfundon Papa Françesku, e të ndjekim shembullin e shën Marisë, e cila “para madhështisë së mëshirës hyjnore, që iu dhurua falas, e pranoi vogëlsinë e vet, duke e quajtur vetveten shërbëtore të përvuajtur të Zotit”.

Mesazhi i Atit të Shenjtë për Kreshmët 2016 u paraqit nga kryeipeshkvi i Agrigento-s dhe anëtari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Francesco Montenegro; Sekretari i këtij Këshilli, imzot Giampietro Dal Toso; si edhe nënsekretari i dikasterit, imzot Segundo Tejado Munoz.








All the contents on this site are copyrighted ©.