2016-01-25 12:16:00

Papa: të varfrit janë në qendër të Ungjillit


Të jesh i krishterë e të jesh misionar “është e njëjta gjë”, prandaj për atë që i përket Kishës “prioriteti” është e do të jetë përherë ungjillëzimi, sidomos ndaj të mënjanuarve, ndaj “fundërrisë së shoqërisë”. Papa Françesku e përsëriti këtë dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke nënvizuar se ungjillëzimi i të varfërve nuk është “asistencë sociale” e as “aktivitet politik”, por do të thotë “t’u ofrosh atyre forcën e Ungjillit të Zotit”.

Krishterimi është çështje afërsie me të varfrit, me të dobëtit, sepse fjalët kanë vlerë themelore, por nuk janë gjëja më e rëndësishme. Këtë e tregon historia e Shpëtimit kur arrin viti zero e Jezusi duket në skenë dhe fillon misionin e vet.

Një Mësues ndryshe

Para se të vinte Ai, populli hebraik pati njohur shumë profetë, por Rabbi – Mësuesi i ri që vjen nga Nazareti – shpjegoi Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot – shquhet mbi të tjerët për origjinalitetin e fjalës së tij, “që zbulon domethënien e Shkrimeve të Shenjta”, e për “forcën” me të cilën ua imponon bindjen “shpirtrave të papastër”:

“Jezusi është ndryshe prej mësuesve të kohës së tij. Për shembull, nuk ka hapur ndonjë shkollë për studimin e Ligjit, por shkon rreth e rrotull për të predikuar e mësuar gjithkund: në sinagoga, nëpër rrugë, nëpër shtëpi, është gjithmonë rreth e rrotull. Jezusi është ndryshe edhe nga Gjon Pagëzuesi, i cili e shpall gjyqin e afërt të Zotit, ndërsa Jezusi nga ana tij kumton faljen e Atit”.

I krishteri dhe misionari “janë e njëjta gjë”

Në një të diele plot me diell e të ftohtë, Papa Françesku komentoi episodin e Ungjillit të dielës së 3-të të vitit kishtar, që flet për Jezusin, i cili në Sinagogë çohet për të lexuar fragmentin e Izaisë profet që flet për mandatin e shpalljes së “lajmit të mirë” të varfëve dhe çlirimin e të gjithë të shtypurve, të cilin e mbyll me një koment që i le të habitur të pranishmit: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj”. Në këtë pohim, për Papën, e kemi të përmbledhur tërë eksperiencën e krishterë:

“Ungjillëzimi i varfërve: ky është misioni i Jezusit, sipas asaj që Ai tha; ky është edhe misioni i Kishës, e i çdo të pagëzuari në Kishë. Të jesh i krishterë e të jesh misionar është e njëjta gjë. Të kumtosh Ungjillin, me fjalë e, akoma më parë, me jetë, është synimi kryesor i komunitetit të krishterë dhe i çdo anëtari të vetë”.

Ungjilli, jo politika

Personat e privilegjuar të cilëve u drejtohet Lajmit i Mirë, kujtoi Papa, për Jezusin janë “të largët, të vuajturit, të sëmurët, të mënjanuarit e shoqërisë”.  Të ungjillëzosh “domethënë t’i afrosh, t’u shërbesh, t’i lirosh prej trysnive të tyre” e, ta bësh apo mos ta bësh këtë për Papën Françesku është çështje e shqyrtimit të pandërprerë të ndërgjegjes për famullitë kishtare, për shoqatat, për lëvizjet kishtare:

“Ungjillëzimi i të varfërve, kumtimi i lajmin e mirë, a është prioritet? – pyet Papa Bergoglio e shton - Kujdes: nuk bëhet fjalë vetëm për një asistencë sociale, aq më pak për veprimtari politike. Është fjala për t’u ofruar forcën e Ungjillit të Zotit, që i kthen zemrat, shëron plagët, shndërron marrëdhëniet njerëzore e shoqërore sipas logjikës së dashurisë. Të varfrit, vërtetë, janë në qendër të Ungjillit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.