2016-01-25 15:10:00

Më 31 tetor, Papa në Suedi për 500-vjetorin e Reformës Protestante


Papa Françesku do të shkojë në Suedi më 31 tetor për të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët të Kishës Katolike me Federatën Luterane Botërore, në program në Lund, në përkujtim të 500-vjetorit të Reformës Protestante, që bie në vitin 2017. Lajmin e dha sot Salla e Shtypit e Vatikanit.

         Kremtimi i përbashkët, që do të kryesohet nga vetë Ati i Shenjtë, nga kreu i Federatës Luterane Botërore, ipeshkvi Munib A. Younan dhe nga sekretari i saj i përgjithshëm, rev. Martin Junge, do të verë në dukje hapat e qëndrueshme ekumenike ndërmjet katolikëve dhe luteranëve dhe dhuratat e çmueshme, që ka sjellë dialogu për të dyja palët. Fjala është për një lutje të përbashkët, sipas një doracaku liturgjik, përgatitur kohët e fundit nga katolikët e luteranët.

         Në një komunikatë katoliko-luterane shpjegohet se kremtimi është pjesë e procesit të zbatimit të dokumentit të vitit 2013 “Nga konflikti tek bashkimi”, që përbën përpjekjen e parë të bashkësive katolike e luterane për të përshkruar së bashku, në nivel ndërkombëtar, historinë e Reformës dhe qëllimet e saj. Lutja e përbashkët, në qendër të kremtimit, bazohet mbi këtë dokument dhe përmban temat e falenderimit, të pendesës e të impenjimit për dëshminë e përbashkët të Krishtit, duke synuar paraqitjen e dhuratave të Reformës dhe kërkimin e faljes për ndarjet e shkaktuara nga mosmarrëveshjet teologjike.

         Viti 2017 përkon edhe me 50-vjetorin e dialogut ndërkombëtar katoliko-luteran, nga i cili kanë rrjedhur rezultate të rëndësishme ekumenike, si “Deklarata e përbashkët për Doktrinën e Justifikimit”, nënshkruar në vitin 1999. Ajo hodhi poshtë mosmarrëveshje të lashta, që me shekuj i kanë ndarë katolikët e luteranët në konceptimin e të vërtetave themelore të Doktrinës së Justifikimit, në qendër të Reformës së shekullit XVI.

         Në fillim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila përfundoi sot, Papa Françesku priti delegacionin ekumenik të Kishës Luterane të Finlandës, duke nënvizuar se në botën e sotme, plot me konflikte, shekullarizëm e indiferencë, “të gjithë të bashkuar, jemi të thirrur të impenjohemi për të dëshmuar Jezu Krishtin, duke u bërë gjithmonë e më tepër dëshmitarë të besueshëm të bashkimit e protagonistë të paqes e të pajtimit. Kujtojmë se Ati i Shenjtë e pati përkufizuar ndarjen ndërmjet të krishterëve “shkandull”, që gjatë vizitës në kishën luterane të Romës, nëntorin e kaluar.








All the contents on this site are copyrighted ©.