2016-01-23 14:10:00

Papa: të gjejmë mënyra të reja për të rrëfyer mrekullinë e Mëshirës së Zotit


Të gjenden “mënyra të reja” për t’u kumtuar të gjithëve “mrekullinë” e Mëshirës së Hyjit. Kjo porosia e Papës drejtuar ipeshkvijve të Filipineve, me rastin e asamblesë së tyre të 112-të plenare që mbahet në Cebu. Letra papnore, nënshkruar nga kardinali Parolin, u lexua nga nunci apostolik në Filipine, imzot Giuseppe Pinto, gjatë Meshës së hapjes së punimeve të asamblesë së ipeshkvijve të vendit.

Në Mesazh, Papa nënvizon se si detyra parësore e Kishës është kumtimi i “dashurisë së qëndrueshme të Zotit” për të gjithë njerëzit, duke shpreh urimin që Jubileu i Mëshirës Hyjnore të mund të jetë vërtetë rast “për ta përqendruar vështrimin tonë akoma më me vëmendje mbi mëshirën, që të mund të bëhet shenjë edhe më efikase e veprës së Atit Qiellor për jetën tonë njerëzore”.

Në rendin e ditës së asamblesë së Konferencës ipeshkëvnore të Filipineve, në të cilën marrin pjesë 98 prelatë, janë disa tema, ndër të cilat edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale e legjislative të 9 majit. Por, në plan të parë është sidomos Kongresi 51 Eukaristik Ndërkombëtar, i cili hapet këtë të diele në Cebu, me mase 10 mijë pjesëmarrës nga 57 kombe të ndryshme të botës, ndër ta 20 kardinaj e 50 ipeshkvij aziatikë. Tema e zgjedhur për Kongresin e 51-të Eukaristik Ndërkombëtar, në të cilin Papa Françesku ka dërguar kardinali Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangon-it, është “Krishti në ju, shpresë e lavdisë”, marrë nga letra e shën Palit drejtuar Kolosianëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.