2016-01-22 14:56:00

Papa, gjykatës "Rota Romake": familja të mos ngatërrohet me bashkimet e tjera


“Nuk mund të ketë ngatërrim ndërmjet familjes sipas vullnetit të Zotit e çdo lloji tjetër bashkimi”. Kështu ripohoi Papa Françesku në fjalimin e tij drejtuar Gjykatës së ‘Rotës Romake’, në audiencën tradicionale për përurimin e Vitit të ri gjyqësor. Papa Bergoglio uroi që për çiftet e ardhshme martesore të përvijohet një “katekumenat i ri” dhe e ftoi gjykatën ‘Rota Romake’ të vlerësojë me “shumë vëmendje” gabimet, që lidhen me “sakramentalitetin e martesës”.

Papa Françesku foli e në fjalët e tij perceptohej jehona e dy Sinodeve të fundit kushtuar familjes. Takimi me gjykatën e lartë të Kishës katolike, ‘Rota Romake’, është përherë një rast për të shqyrtuar punën e asaj që konsiderohet – siç pati pohuar edhe Papa Piu XII – “Gjykatë e familjes”.

Papa Françesku e propozoi këtë veti historike, duke e lidhur me magjisterin e kohëve të fundit të Kishës mbi temën e familjes, e cila u vu përsëri në qendër të vëmendjes, duke ripohuar me qartësi e bindje mësimin e pandryshueshëm në këtë fushë:

“Gjatë punimeve të sinodit mbi temën e familjes, të cilin Zoti na mundësoi ta realizojmë në dy vitet e kaluara, patëm mundësinë të ripohojmë atë që Kisha – mes tjerash – i ka treguar botës, se nuk mund të ketë kurrfarë ngatërrimi ndërmjet familjes sipas vullnetit të Zotit e çdo lloji tjetër të bashkimit”.

Pasi e vuri mësimin e Kishës mbi familjen në dritën e duhur, Papa Françesku kaloi te vlerësimi i disa aspekteve tjera në fushën e së drejtës kanonike kishtare. Të jesh Gjykatë e familjes për Rotën  Romake do të thotë të plotësosh, tha Papa, qënien “Gjykatë e së vërtetës mbi lidhjen e shenjtë” të martesës. Kishës, tha Ati i Shenjtë, i takon të tregojë, në njërën anë, “dashurinë e mëshirshme të Zotit ndaj familjeve, në mënyrë të veçantë ndaj atyre që janë lënduar nga mëkati e nga sprovat e jetës”, e, në anën tjetër, ta shpallë “të vërtetën e martesës sipas planit të Zotit, nga i cili nuk mund të hiqet dorë”. Me fjalë tjera, martesa ka për “mision transmetimin e jetës dhe të dashurisë së anasjelltë e legjitime të burrit e të gruas”, të cilët janë të thirrur “të kompletohen njëri me tjetrin përmes dhuratës reciproke, jo vetëm fizike, por sidomos shpirtërore”:

“Familja dhe Kisha, në nivele të ndryshme, kanë si mision të përbashkët shoqërimin e njeriut drejt cakut të jetës së vet. E këtë e bëjnë, sigurisht, me mësimet që transmetojnë, por edhe me vetë natyrën e tyre, si bashkësi të mbështetura mbi dashurinë dhe jetën. E vërtet, nëse familja mund të quhet ‘kishë shtëpiake’, edhe Kisha  - vërejti Papa – me të drejtë e quan veten familje të Zotit. Prandaj, “shpirti familjar” është kartë kushtetuese për Kishën: kështu krishterimi duhet të duket, e kështu duhet të jetë”.

Duke folur pastaj për procesin gjyqësor të sakramentit të martesës, Papa tha se duhet pasur parasysh se...

“Mungesa e formimit në fe dhe ideja e gabuar mbi vlerën e bashkimit, të pazgjidhshmërisë dhe të dinjitetit sakramental të martesës, e cënojnë konsensusin martesor vetëm nëse ndikojnë vendosmërisht mbi vullnetin (khr CIC,can. 1099) e çiftit. Pikërisht për këtë, gabimet që kanë të bëjnë me sakramentalitetin e martesës duhet të vlerësohen me më shumë vëmendje”.

Në përfundim, Papa pohoi se, Kisha “me plot përgjegjësi dhe bindje vazhdon ta propozojë martesën, në elementet e saj thelbësore – fëmijët, të mirën e bashkëshortëve, bashkimin, pazgjidhshmërinë, sakramentalitetin e të tjera”...

“.. jo si një ideal për pak njerëz, por si realitet, i cili, në sajë të hirit të Krishtit, mund të jetohet nga të gjithë besimtarët e pagëzuar. E pikërisht për këtë, veprimtaria baritore, që e përfshin të tërë strukturën e Kishës, na nxit për një përgatitje të përbashkët e të përshtatshme për martesën, për një lloj katekumenati të ri – e nënvizoj këtë: një lloj katekumenati të ri – që aq shumë është kërkuar nga disa Etër Sinodalë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.