2016-01-22 18:24:00

Imzot Viganò: t’i kthehemi heshtjes, për të komunikuar


Ta komunikojmë mëshirën përmes fjalëve, heshtjes, imazhit, meditimit të zemrës. Përmes kësaj udhe, u paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 50-të Botërore të Komunikimit Shoqëror, me temë “Komunikimi e Mëshira: takim i frytshëm”. Në konferencën për shtyp, me moderator zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardi, folën prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, drejtori i televizionit kishtar Tv2000, Paolo Ruffini dhe biblistja Marinella Perroni.

Në Mesazhin e tij, Papa kërkon që komunikimi të ndërtojë ura, të shërojë plagët dhe të prekë zemrat e njerëzve. Ati i Shenjtë thekson se pushteti i vërtetë i komunikimit është “afërsia” me njerëzit e me problemet e kësaj bote. Papa u kërkon të krishterëve të komunikojnë të vërtetën me dashuri, pa i gjykuar njerëzit. Bën, gjithashtu, thirrje që rrjetet shoqërore të kthehen në vende të mëshirshme, ku të favorizohen marrëdhëniet e vërteta dhe ndarja e problemeve të të tjerëve.

Imzot Viganò: fjalët e heshtjes t’ua mbyllin gojën pallavrave

         Jetojmë në një kohë, kur njerëzit nuk duan të dëgjojnë, nënvizoi imzot Viganò, gjatë konferencës për shtyp. E kjo sjell përdorimin e një gjuhe të çkujdesur. Heshtja, qe ideja e tij, është element i domosdoshëm për komunikimin: “Sa më shumë që personi të jetë në gjendje të rrijë në heshtje, aq më shumë do të marrin vlerë fjalët që do të thotë, fryt i meditimit të tij”. Heshtja pra, mund të jetë formë e jashtëzakonshme e komunikimit:

         “Nga ana tjetër, ne të gjithë kemi në mendje daljen e Papës Françesku në Llozhën Qendrore: atë që, ndonjë studiues do ta quante ‘ngjarje transformuese’. Transformuese, sepse gjithçka u parapri nga një çast heshtjeje, kur – siç e kujtojmë të gjithë – Papa kërkoi të lutemi për të”.

         Të lemë mënjanë fjalët e instrumentalizuara e të rizbulojmë vlerën e heshtjes, kërkoi imzot Viganò. Më pas, Parolo Ruffini u bëri jehonë fjalëve të Papës mbi “afërsinë”, si karakteristikë e komunikimit, duke vënë në dukje se mediat mund ta shohin botën me sytë e mëshirës, vetëm duke u zhytur në të, duke u emocionuar, duke arsyetuar, duke derdhur lot e duke qeshur, duke e jetuar jetën së bashku me personat, për të cilët flasin, pra, duke u bërë “të afërt” me ta. Ndërkaq, profesoresha Marinella Perroni e Universitetit Papnor të Shën Anselmit, foli për marrëdhëniet ndërmjet komunikimit e mëshirës, në perspektivën bibliko-teologjike.








All the contents on this site are copyrighted ©.