2016-01-22 14:48:00

Françesku: nëse ipeshkvi nuk lutet, populli i Zotit vuan


Detyrë e ipeshkvit është të lutet e të kumtojë Ringjalljen e Jezusit; nëse ipeshkvi nuk lutet e nuk kumton Ungjillin, por merret me punë të tjera, populli i Zotit vuan: kështu tha sot Papa Françesku, gjatë homelisë së meshës, që kremtoi në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës.

        Ungjilli i sotëm sipas shën Markut tregon për zgjedhjen e 12 Apostujve nga ana e Jezusit. I zgjedh, nënvizoi Ati i Shenjtë, që të rrinë me Të e i dërgon të predikojnë, duke u dhënë pushtetin e dëbimit të demonëve. 12 Apostujt janë ipeshkvijtë e parë, vërejti Papa. Pas vdekjes së Judës, zgjidhet Matia e ky është shugurimi i parë ipeshkvnor në Kishë. Ipeshkvijtë, theksoi Bergoglio, janë shtyllat e Kishës, të thirrur të dëshmojnë Ringjalljen e Jezusit:

         “Ne ipeshkvijtë kemi përgjegjësinë e dëshmisë: dëshmitarë që Zoti ynë Jezu Krishti është gjallë, që Zoti ynë Jezu Krishti është ringjallur, që Zoti ynë Jezu Krishti ecën me ne, që Zoti ynë Jezu Krishti na shpëton, që Zoti ynë Jezu Krishti dha jetën për ne, që Zoti ynë Jezu Krishti është shpresa jonë, që Zoti ynë Jezu Krishti na pranon gjithmonë e na fal. Dëshmia! Kjo duhet të jetë jeta jonë: dëshmi. Dëshmi e vërtetë e Ringjalljes së Krishtit”.

         Ipeshkvijtë, vazhdoi Papa, kanë dy detyra:

         “Detyra e parë e ipeshkvit është të rrijë me Jezusin në lutje. Detyra e parë e ipeshkvit nuk është të bëjë plane baritore… jo, jo! Të lutet: kjo është detyra e parë. Detyra e dytë është të jetë dëshmitar, pra, të predikojë. Të predikojë shëlbimin, që na solli Jezusi Zot. Dy detyra aspak të lehta, por pikërisht këto dy detyra i forcojnë shtyllat e Kishës. Nëse këto shtylla dobësohen, sepse ipeshkvi nuk lutet, ose lutet pak apo harron të lutet; ose sepse ipeshkvi nuk kumton Ungjillin, por merret me punë të tjera; edhe Kisha dobësohet e vuan. Populli i Zotit vuan, sepse shtyllat nuk janë të forta”.

         Kisha nuk mund të ecë pa ipeshkvin, theksoi Papa. Prandaj, për të gjithë ipeshkvijtë, lutja është detyrë, por detyrë dashurie, detyrë e bijve ndaj Atit, detyrë e vëllait, që familja të qëndrojë e bashkuar me besimin e patundur në Jezu Krishtin e gjallë e të ringjallur:

         “Për këtë, dua t’ju ftoj sot të luteni për ne, ipeshkvijtë. Sepse edhe ne jemi mëkatarë, edhe në kemi dobësi, edhe ne kemi mbi krye rrezikun e Judës: pasi edhe ai qe zgjedhur për të qenë shtyllë. Edhe ne ka rrezik të mos lutemi, të bëjmë gjëra, që nuk janë kumtim i Ungjillit e dëbim i demonëve… Të lutemi që ipeshkvijtë të jenë ashtu si deshi Jezusi, që të gjithë ne të dëshmojmë Ringjalljen e Jezusit. Populli i Zotit lutet për ipeshkvijtë. Në çdo meshë ka lutje për ipeshkvijtë: lutemi për Pjetrin, kreun e kolegjit ipeshkvnor e, lutemi për ipeshkvin e vendit. Por kjo është pak: thuhet emri e shpesh thuhet për zakon e vijohet më tej. Të lutemi për ipeshkvin me zemër, t’i themi Zotit: o Zot, kujdesu për ipeshkvin tim; kujdesu për të gjithë ipeshkvijtë e, na dërgo ipeshkvij që të jenë dëshmitarë të vërtetë, ipeshkvij që luten, ipeshkvij, që me predikimin e tyre, na ndihmojnë ta kuptojmë Ungjillin, që të jemi të sigurtë se Ti, o Zot, je i gjallë, je mes nesh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.