2016-01-21 13:58:00

Sot, në festën e Shën Anjezes, Papa bekoi dy qengja


Sot, në përkujtimin liturgjik të Shën Anjezes, Papa bekoi dy qengja

Si çdo vit, sot, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, në Kapelën Urbani VIII në Vatikan, Papa bekoi dy qengja, që iu paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit.

Leshi i tyre do të përdoret për endjen e paliove të shenjta të cilat, pasi të jenë bekuar nga Papa, vendosen më pas në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, më 29 qershor, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, si simbol që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.

Riti i bekimit të paliove, që u vendoset nga nuncat apostolikë lokal kryeipeshkvijve të ri metropolitë, bëhet nga Papa më 29 qershor, në Solemnitetin e Pjetrit e Palit Apostuj. Palio është shenjë dalluese liturgjike e nderit dhe juridiksionit që bartët nga Papa dhe nga kryeipeshkvijtë metropolitë në Kishat e tyre vendore dhe në ato të Provincës së tyre.

Kujtojmë se simboli i palios ka një domethënie të pasur kishtare e teologjike. Palio është stolë apo fashë prej leshi të bardhë, e gjerë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qëndisur me mëndafsh të zi, si simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla të kryeipeshkvijve duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin ‘aciculae’.

Palio simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të gjetur e të shpëtuar dhe të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, Jezu Krishtit, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që Papa u ngarkon ipeshkvijve mitropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit të tyre, ipeshkvi metropolitë duhet të marrë nga Papa simbolin e palios.

Bekimi i qengjave bëhet pikërisht në festën e Shën Anjezes, sepse shpesh, në figuret kushtuar Shenjtores janë të pranishëm edhe qengjat. E kujtojmë se Shën Anjezja u martirizua në rrugën romake Nomentana aty nga fillimi i shekullit IV, pa i mbushur ende 12 vjetët, duke dëshmuar Krishtin, ndërsa shumë besimtarë nuk e patën guximin t'i vinin kokat nën tehin e shpatës së armiqve të Qengjit Hyjnor që shlyen mëkatet e botës.

Në përfundim të kremtimit të thjeshtë e të shkurtër të paradites së sotme, dy qengjat, i pari stolisur me një kurorë lulesh të bardha, simbol i virgjërisë, ndërsa i dyti me një kurorë lulesh të kuqe, ngjyrë e martirizimit, u çuan në kuvendin e motrave të Shën Çeçiles, të cilat pas ndonjë muaji do të fillojnë t'i endin paliot, pasi t'i qethin qengjat.

Sipas traditës, qengjat ia dhurojnë çdo vit Papës kanonikët e Shën Gjonit në Lateran të Romës, të cilët shërbejnë në bazilikën e Shën Anjezes jashtë mureve të Romës, ndërsa për t'i rritur mendojnë murgeshat të Shën Lorencit në Panispe








All the contents on this site are copyrighted ©.