2016-01-20 17:42:00

Në Tv2000, dokumentari i persekutimit të shqiptarëve “Nuk mund të vritet Zoti!”


Më 21 janar, në orën 23.05, në televizionin kishtar italian Tv2000, do të transmetohet dokumentari “Nuk mund të vritet Zoti!”, i regjisorit Umberto Rondi. Është pjesa e dytë e materialit filmik, që flet për guximin dhe ruajtjen e fesë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës e gjatë ateizmit stalinist në Shqipëri. Pjesa e parë titullohej “Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipnia!”, frazë që kujton thirrjen e sa e sa martirëve të fesë para pushkatimit. Sot, shkruan autori i dokumentarit në një komunikatë për shtyp, në Shqipëri është vendosur demokracia, por, siç dëshmojnë njerëzit gjatë xhirimit, “shumë vetë mbeten të shokuar kur shohin ish-torturuesit e persekutuesit e tyre të ecin lirisht nëpër rrugë me pensione të majme e qëndrime arrogante” e kur “ish-partiakët e regjimit komunist kanë role të rëndësishme në institucionet e vendit”.

Dokumentari bën pjesë në ciklin “Ushtarët e panjohur të fesë” të Pupi Avatit. Rikujton e shqyrton, përmes tregimit të viktimave, të dëshmitarëve, të të mbijetuarve, të misionarëve e të ekspertëve, persekutimin dhe vuajtjet e tmerrshme të katolikëve, por edhe të ortodoksëve e myslimanëve e të të gjithë atyre, që kundërshtonin tiraninë. Cikli, me 28 emisione, është një udhëtim në vendet e Evropës Lindore, që zbulon për publikun italian skenarët e persekutimit komunist, nxjerr në dritë historitë e njerëzve, që kanë qenë vërtet “ushtarë të panjohur të çështjes së madhe të Zotit”, siç i pati quajtur shën Gjon Pali II.

Pjesën e parë të dokumentarit për Shqipërinë, mund ta gjeni në Youtube. Pjesa e dytë transmetohet nesër e do të jetë në Youtube, të premten, më 22 janar.








All the contents on this site are copyrighted ©.