Me 20 janar, kalendari Kishtar, përkujton Shën Fabianin papë e martir dhe Shën
Sebastianin, martir.
Fabiani, Papë i Romës për katërmbëdhjetë vjet (nga 10 janari i vitit
236 deri më 20 janar 250), luajti një rol të dorës së parë në organizimin e Kishës.
E ndau Romën në shtatë diakoni, për t’i ndihmuar më mirë të varfrit. Sistemoi varrezat
e krishtera e mbarti eshtrat e Papës Ponciani, vdekur në internim, në minierat e Sardenjës.
Me të figura e ipeshkvit të Romës fitoi një autoritet aq të madh, sa ta shqetësonte
seriozisht edhe perandorin Deçio, i cili mori pushtetin më 249, pasi mbyti kundërshtarin
e tij, Filipin Arab. Deçio, për të forcuar nga brenda perandorinë, e cila nga jashtë
kërcënohej në të katër anët prej barbarëve, mori vendim që të gjithë nënshtetasit
të shpallnin solemnisht besnikërinë ndaj paganizmit, duke kryer një akt publik kulti
me flijimin e një bagëtie. Si ta bënin këtë, do të merrnin një certifikatë, që vërtetonte
se ishin paganë të vërtetë e, prej këndej, besnikë të perandorisë romake.
Përballë një kërkese të tillë, të krishterët, për të cilët flijimi para idhujve do
të thoshte mohim i Krishtit, mbajtën tre qëndrime të ndryshme, qëndrime që mbajnë
njerëzit në të gjitha kohët përballë përdhunës: grupi i parë, për shkak të frikës
a të interesit, mohoi. Grupi i dytë u mundua të gjente një rrugë të ndërmjetme: të
siguronte me çdo kusht certifikatën, pa flijuar para idhujve. Edhe ky, mohim i Krishtit,
ndonëse i maskuar.
Grupi i të krishterëve të bindur, që e dinin se në fe shtigjet e tërthorta quhen tradhti,
refuzoi publikisht të flijonte para idhujve. I pari që nuk pranoi, ishte Papa Fabiani.
Nuk e mbytën në cirk, as nuk e martirizuan. E flakën në një nga qelitë e tmerrshme
të burgjeve romake dhe e lanë aty, derisa u shua nga etja e nga uria. Të krishterët
e varrosën në varrezën e Shën Kalistit, gjatë Rrugës Appia, duke e nderuar si martir;
e epitafi i vënë mbi varrin e tij, ka arritur deri në ditët tona.
Shën Sebastiani. Të dhënat historike mbi Shën Sebastianin janë
vërtetë shumë të pakta, mirëpo përhapja e nderimit të tij, pra e kultit ka qëndruar
ndër shekuj deri në ditët tona. Lindi në Milano në vitin 237 e vdiq si martir i Krishtit
në Romë në vitin 304. Shën Sebastiani qe varrosur në katakombet e Romës, që më vonë
morën edhe emrin e tij. Martirizimi i tij ndodhi gjatë sundimit të perandorit romak,
Dioklecianit.
Sipas jetëshkrimit, Sebastiani qe një kalorës trim milanez, i shpërngulur në Romë
i cili, duke shfrytëzuar miqësinë me Perandorin romak, u dh një ndihmë të çmuar të
krishterëve të burgosur e sidomos atyre që ishin të dënuar me vdekje. Zhvilloi edhe
veprimtari misionare, duke kthyer në fenë e Krishtit si të burgosurit, ashtu edhe
ushtarët që i ruanin.
Pra në Romë, ai i ngushëlloi të krishterët e persekutuar, duke punuar si oficer në
Rojën Pretoriane. Si u zbulua se ishte i krishterë, u dënua me vdekje nga perandori
Dioklecian, të cilit i shërbente.
Martirizimi i tij është përshkruar me devocion e fantazi nga një murg i shekullit
V me emrin Arnobi i Ri. Murgu tregon se në Romë zelli i Sebastianit në shërbim të
të krishterëve arriti deri atje, sa të kthente në krishterim edhe vetë guvernatorin
e Romës, Kromacin së bashku me të birin, Tiburcin, të cilët më pas do ta dëshmonin
fenë e re me gjak, njëkohësisht me atë (Sebastianin) që i kishte bërë Bij të Krishtit.
Një zell i tillë nuk mund të mos binte në sy në oborrin perandorak. Vetë Diokleciani
perandor e thirri centurionin dhe i tha, me ton familjar: “Unë t’i kam hapur dyert
e pallatit e me to, edhe rrugën e karrierës së shkëlqyer, ndërsa ti vë në rrezik jetën
time...Më thuaj, vërtetë je i krishterë?”. Kujtojmë se asokohe të krishterët mbuloheshin
me shpifje deri në atë masë, sa të paraqiteshin si persona të rrezikshëm, madje si
kriminelë të tmerrshëm. Prej këndej edhe shqetësimi i perandorit romak, që kishte
si roje kryesore pikërisht centurionin e pashëm e trim.
Posa e pa se Sebastiani e dëshmoi pa asnjë ngurrim fenë e tij në Krishtin Zot, perandori
romak Diokleciani kaloi menjëherë nga toni ledhatues, në atë kërcënues e në dënimin
shembullor. Atëherë Sebastianin e lidhën për një trung në fushë të hapur dhe e mbytën
duke e gjuajtur me shigjeta. Kështu edhe paraqitet në ikonat e shumta që i janë kushtuar
këtij shenjti të jashtëzakonshëm.
Po kujtojmë se Shën Sebastiani martir i krishterë, është një nga personazhet kryesore
edhe të romanit të shkruar nga kardinali Weiseman (Vajsman) “Fabiolës” kushtuar pikërisht
martirizimit të bashkësive të para të krishtera.
All the contents on this site are copyrighted ©. |