2016-01-20 17:14:00

Irak: Isis rrënon manastirin e Shën Elisë në Mosul


Në Irak, lufta vijon të godasë simbolet e shenjta të kulturave lokale dhe të krishterimit. Në Mosul, i ashtuquajturi Shtet Islamik rrënoi me themel manastirin e lashtë të krishterë të Shën Elisë, ndërtuar në vitin 590 pas Krishtit. Disa ditë më parë, ndërkaq, bombardimet ajrore të koalicionit kundër Isis shkatërruan kishën siro-ortodokse të Virgjërës Mari, pushtuar nga xhihadistët. Në mikrofonin tonë, ipeshkvi ndihmës i Bagdadit të Kaldejve, imzot Shlemon Warduni:

        Nëse nuk ndalet lufta, do të dëgjojmë gjëra të tjera të tmerrshme, sepse kur ka tërbim, kur ka mllefe, mund të ndodhë çdo gjë. Një taraf njerëzish kanë ardhur në Irak për të shkatërruar, për të vrarë, për të bërë gjëra të tmerrshme kundër Zotit e kundër njeriut. Prandaj, bëjmë thirrje gjithmonë: “Ndaleni luftën!”. Do të ishte e tmerrshme, nëse bota nuk do të bënte diçka – që nga Amerika, në Evropë e në vendet arabe. Nëse nuk bëjnë diçka, së bashku, për çdo gjë që ka krijuar Zoti do të jetë tragjedi.

Popullsia e krishterë largohet gjithnjë e më shumë nga këto territore…

         Natyrisht. Të gjithë thonë: “Pse jemi këtu? Vetëm për t’u vrarë?” Kjo e manastirit të Shën Elisë, ndërtuar 1400 vjet më parë, është tragjedi e re. Më kujtohet se kur isha seminarist, në ditën e festës së shenjtit, shkonim atje, megjithëse mbaheshin në këmbë vetëm rrënojat, e kremtonim meshën. Aty afër ishin ushtarët, që kontrollonin… Ky lajm më trishton e vërtet ma hidhëron zemrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.