2016-01-20 14:29:00

Françesku: me Pagëzimin, të krishterët janë të bashkuar e vëllezër


Për hir të Sakramentit të Pagëzimit, katolikë, ortodoksë e protestantë formojnë një bashkësi “vëllezërish”, një “komb të shenjtë”. Udha ekumenike i ndihmoftë të krishterët ta rizbulojnë këtë lidhje bashkimi, që shkon përtej ndarjeve. Ky ishte urimi i Papës Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI e kushtuar Javës së lutjes për bashkimin e gjithë të krishterëve. Nuk ka ndarje, sado e lashtë dhe e rrënjosur, që mund t’i rezistojë ujit të Pagëzimit, nënvizoi Ati i Shenjtë. Sepse Pagëzimi është Sakrament i mëshirës së Zotit, nga e cila nuk përjashtohet askush.

Të rinisemi nga Pagëzimi

         Për reflektimin e tij mbi Javën e lutjes për bashkimin e gjithë të krishterëve, Papa Françesku përdori një siguri, që vjen nga Koncili II i Vatikanit: “Pagëzimi përbën lidhje sakramentore bashkimi për të gjithë ata, të cilët, përmes tij, janë rilindur në jetë të re”. Besimtarëve, që e kishin mbushur plot e përplot Sallën Pali VI, Ati i Shenjtë u tregoi për një baptister të shekullit XII, në qendër të katedrales së Rigës, në kohën e ungjillëzimit të Letonisë. “Ajo gurrë – vërejti – është shenjë e qartë e një zanafille të vetme të fesë, pranuar nga të gjithë të krishterët e Letonisë”, pavarësisht nga tradita, së cilës i përkasin:

         “Kur ne të krishterët themi se ndajmë së bashku një Pagëzim të vetëm, pohojmë se të gjithë ne – katolikë, protestantë dhe ortodoksë – ndajmë përvojën e thirrjes nga errësira më e pamëshirshme e më e huaj, në takimin me Zotin e gjallë e plot mëshirë. Fatkeqësisht, të gjithë e provojmë egoizmin, që shkakton përçarje, mbyllje, përbuzje. Të rinisemi  nga Pagëzimi do të thotë të rigjejmë burimin e mëshirës, burimin e shpresës për të gjithë, sepse askush nuk përjashtohet nga mëshira e Hyjit. Askush nuk përjashtohet nga mëshira e Hyjit”.

Të krishterët dëshmojnë së bashku

         Vetëdija për këtë hir, nënvizoi Papa Françesku, krijon një lidhje të pazgjidhshme ndërmjet të krishterëve, prandaj, për hir të Pagëzimit, mund ta konsiderojmë vërtet njëri-tjetrin si vëllezër. E kjo sjell pasoja konkrete:

         “Ne të krishterët mund t’ua kumtojmë të gjithëve forcën e Ungjillit, duke u impenjuar t’i ndajmë së bashku veprat e mëshirës trupore e shpirtërore. E kjo është dëshmi konkrete bashkimi ndërmjet ne të krishterëve: protestantë, ortodoksë, katolikë”.

Përtej ndarjeve

         Ati i Shenjtë kujtoi Letrën e parë të Shën Pjetrit, nga e cila është marrë tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Pjetri, vërejti Papa, i shkruan brezit të parë të të krishterëve për ta bërë të vetëdijshëm se me Pagëzimin ka marrë një dhuratë, e cila ka kërkesat e veta. Edhe ne, vijoi, jemi të ftuar ta rizbulojmë këtë dhuratë e ta bëjmë këtë së bashku, pavarësisht nga ndarjet:

         “Të gjithë, katolikë, ortodoksë e protestantë, formojmë një meshtari mbretërore e një komb të shenjtë. Kjo do të thotë se kemi një mision të përbashkët, që është ai i transmetimit të dhuratës së mëshirës tek të tjerët, duke filluar nga më të varfërit e më të braktisurit. Gjatë kësaj Jave, të lutemi që të gjithë ne, dishepujt e Krishtit, të gjejmë mënyrën për të bashkëpunuar që ta çojmë mëshirën e Atit Qiellor në çdo anë të tokës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.