2016-01-19 15:37:00

Kongresi eukaristik në Cebu: ungjillëzim e dialog


Ta ungjillëzojmë botën përmes dialogut me fetë, me kulturat dhe me të varfërit. Kjo është sfida më urgjente, që nënvizon kardinali Charles Maung Bo, kryeipeshkëv i Yangon, në Mianmar. Këto ditë, prelati do të shkojë në Filipine, si i dërguar i Papës në Kongresin e 51-të Eukaristik ndërkombëtar, në program në Cebu nga 24 deri më 31 janar. Tema e tij është: “Krishti në ju, shpresë për lavdi”.

         Kongresi nuk është indiferent ndaj Jubileut të Mëshirës, në frymën e të cilit mbahet. Synimi i tij kryesor është ta bëjë kremtimin eukaristik, burim dhe kulm të traditës shpirtërore të të krishterëve, por edhe të thellohet në misionin shoqëror të Kishës, sepse është pikërisht Eukaristia ajo, që i nxit të krishterët të punojnë për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë. E jo vetëm kaq. Kuvendi synon një strategji të përbashkët për të përballuar rrezikun e dyfishtë të padrejtësisë ekonomike dhe të asaj ambientale, tejet e ndjerë në Azi, ku Kina e India vazhdojnë të zhvillohen pa marrë parasysh rrezikun për ambientin. Janë tri, drejtimet për t’u ndjekur, nënvizon Legati papnor: dialogu me fetë, dialogu me kulturat dhe dialogu me të varfërit. Në Kongres priten 10 mijë pjesëmarrës nga 57 vende të botës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.