2016-01-19 11:56:00

Françesku: nuk ka shenjt pa të kaluar, as mëkatar pa të ardhme


Zoti nuk ndalet në pamjen e jashtme, por shikon zemrën. Papa Françesku komentoi sot kryesisht Leximin e parë të meshës në Shtëpinë e Shën Martës, që tregon për zgjedhjen e të riut David si mbret i Izraelit. Ati i Shenjtë nënvizoi se edhe në jetën e shenjtorëve ka tundime e mëkate, siç dëshmon pikërisht jeta e Davidit, por kurrë nuk duhet përdorur Zoti për interesat vetjake.

Zoti sheh zemrën, jo pamjen e jashtme

         Zoti e hedh poshtë Saulin, sepse e kishte zemrën të mbyllur, nuk i ishte bindur e kështu, mendon të caktojë një mbret tjetër. Por, Hyji, siç tregohet në Librin e parë të Samuelit, nuk zgjedh sipas kritereve njerëzore. Vërtet, Davidi ishte më i vogli ndër bijtë e Jeseut, krejt fëmijë. Por Zoti i bën të kuptojë profetit Samuel se për Të nuk ka rëndësi dukja, “Hyji sheh zemrën”:

         “Ne jemi shpesh skllevër të dukjes, skllevër të gjërave që duken… e lemë veten në dorë të këtyre gjërave: ‘Po, kjo më duket…’. Ama Zoti e di të vërtetën. E kështu është kjo histori… Kalojnë të shtatë bijtë e Jeseut dhe Zoti nuk zgjedh asnjërin, i lë të ikin. Samueli zihet ngushtë e i thotë Atit Qiellor: ‘As këtë, o Zot, nuk e zgjodhe? Janë këtu gjithë të rinjtë, të shtatë… Po, ka edhe një tjetër, më i vogli, por nuk po e llogarisim, tani po kullot grigjën’. Për sytë e njerëzve, ky djalosh as që llogaritej”.

Davidi e pranon mëkatin e vet dhe kërkon falje

         Vërtet nuk vlente për njerëzit, vazhdoi komentin Papa, por Zoti e zgjedh dhe e urdhëron Samuelin ta bekojë me vaj. Kështu, Shpirti i Hyjit vërshoi mbi Davidin e, nga ajo ditë, gjithë jeta e Davidit qe jeta e një njeriu të vajosur nga Zoti, të zgjedhur nga Hyji. A mos vallë, kjo do të thotë se Zoti e bëri shenjt, pyeti Papa. Jo, ai e shenjtëroi jetën pas shumë mëkatesh:

         “Shenjt e mëkatar. Një njeri, që diti ta bashkojë mbretërinë, diti ta çojë përpara popullin e Izraelit. Por kishte tundimet e veta, kishte mëkatet e veta. U bë edhe vrasës, për të mbuluar epshet e veta, mëkatin e tradhtisë… dha urdhër të vritet. Ai! ‘Si kështu, Mbreti David, shenjti, paska vrarë?’ Po, por kur Zoti i dërgoi Natanin profet që t’ia hapte sytë për këtë realitet, sepse ai nuk i kishte parë barbaritë për të cilat kishte dhënë urdhër, pranoi se kishte mëkatuar dhe kërkoi falje”.

Nuk ka shenjtorë pa të kaluar e mëkatarë pa të ardhme

         Më pas, vijoi Papa, në jetën e tij provoi gjithçka, edhe tradhtinë e të birit, por nuk e përdori kurrë Zotin për interesat e veta. Ati i Shenjtë kujtoi se kur Davidit iu desh të ikte nga Jeruzalemi, e ktheu mbrapsht Arkën e Hyjit dhe deklaroi se nuk do ta përdorë Zotin për t’u mbrojtur. E kur e shanin, Davidi në zemrën e vet mendonte: “E meritoj”. Pastaj, veproi me zemërgjerësi. Mund ta vriste Saulin, por nuk e bëri këtë. Ja pra, kush ishte shenjti David: mëkatar i madh, por i penduar. Mua më mallëngjen jeta e këtij njeriu, theksoi Papa, kaq e ngjashme me jetën e secilit prej nesh:

         “Të gjithë ne jemi zgjedhur nga Zoti përmes Pagëzimit, për të bërë pjesë në Popullin e Tij, për të qenë shenjtorë; jemi shuguruar nga Zoti në këtë rrugë drejt shenjtërisë. E duke lexuar këtë jetë, jetën e Davidit, të një fëmije – jo të një fëmije, por të një djaloshi – nga rinia në pleqëri, jetë gjatë së cilës bëri gjëra të mira e të këqia, më vjen të mendoj se në udhën e krishterë, në udhën ku Zoti na fton të ecim, nuk ka asnjë shenjtor pa të kaluar e asnjë mëkatar pa të ardhme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.