2016-01-18 13:57:00

Papa në Sinagogë: hebrenjtë e të krishterët janë një familje e vetme. Kurrë të mos harrohet Shoahu


“Hebrenjtë e të krishterët, vëllezër e motra i përkasim një familjeje të vetme të Zotit, që na mbron si popullin e vet”. Ky është mesazhi i miqësisë dhe dialogut, që Papa Françesku ndau bashkë me komunitetit hebraik të Romës, gjatë vizitës së tij, dje pasdite, në Tempullin e Madh. Një moment i quajtur historik nga protagonistët dhe në vazhdimësi me përqafimin që solli këtu, në Sinagogë, për herë të parë Gjon Pali II më 1996 e pastaj Benedikti XVI më 2010. Papa Françesku u prit në Sinagogën e Romës nga përfaqësuesit e hebraizmit botëror, së bashku me anëtarët e komunitetit të pranishëm në Romë që prej 22 shekujsh.

Gjeste e fjalë të pashlyeshme karakterizuan praninë në Sinagogën e Romës të Papës së tretë të historisë, argjentinas e me një të kaluar me miqësi të thellë me hebrenjtë, cituar e vlerësuar nga të pranishmit. Atmosfera u bë menjëherë, që në fillim, familjare, pak para orës 16.00.

Të rinj, gra, të moshuar afroheshin pranë Papa Françeskut për një fjalë e një shtrëngim duarsh dhe pastaj e shoqëronin te homazhet që i bënë historisë së tyre të dhimbshme, siç dëshmon pllaka përkujtimore e internimit të hebrenjve në tetorin e vitit 1943 dhe të atentatit terrorist të vitit 1982. Pastaj brenda Sinagogës, e stërmbushur me njerëz, Papa, në mesin e entuziazmit të komunitetit hebraik, përqafoi Krye Rabinit Riccardo Di Segni dhe shumë të tjetër të pranishëm. Mallëngjyes qe pastaj takimi i Papës me ata që kanë mbijetuar e shpëtuar nga Holokausti.

“Sot po e shkruajmë edhe një herë historinë”. Kështu presidentja e Komunitetit hebraik të Romës Ruth Dureghello së bashku me autoritete tjera që morën fjalën. “Sot po tregojmë”, shtoi, se “dialogu ndërmjet besimeve është i mundur”, madje, para terrorizmit e persekutimeve të reja, para të cilave nuk mund të qëndrojmë indiferent, japim një “mesazh të ri”, i cili mund ndahet bashkë edhe me islamin:

“Feja që nuk lind urrejtje, feja që nuk derdhë gjak, është fe që na thërret në dialog”.

“Së bashku duhet t’i denoncojmë tmerret, së bashku duhet të bashkëpunojmë çdo ditë”, pohoi nga ana tij krye Rabini Di Segni. E dialogu ndërfetar, respekti, impenjimi i përbashkët si vëllezër, janë fjalët e para që Papa Françesku shqiptoi në fjalimin e tij drejtuar komunitetit hebraik:

“Në dialogun ndërfetar është themelore  të takohemi si vëllezër e motra para Krijuesit tonë e t’i japim lavd, ta respektojmë e ta vlerësojmë njëri-tjetrin e të kërkojmë bashkëpunimin. Hebrenj e të krishterë i bashkon një lidhje unike, e veçantë, falë rrënjëve hebraike të krishterimit; prej këndej, hebrenj e të krishterë duhet ta ndjejnë veten vëllezër, të bashkuar nga i njëjti Zot e nga një trashëgimi e pasur shpirtërore e përbashkët (cfr Dich. Nostra aetate, 4), mbi të cilën duhet të mbështetemi e të vijojmë të ndërtojmë ardhmërinë”.

Përmasa teologjike e dialogut hebraiko-katolik, sanksionuar nga Koncili II i Vatikanit, meriton të thellohet, nënvizoi Papa Françesku, e sot ky dialog është një sfidë për të dyja fetë. Me ju – tha Papa – vëllezër e motra të mëdhenj në fe”, sipas shprehjes së Gjon Palit II shqiptuar para 30 vjetësh, ne i përkasim një familjeje të vetme të Zotit, prandaj jemi të thirrur t’i marrim mbi vete “përgjegjësitë tona për qytetin e Romës”, pa humbur para sysh edhe “sfidat e mëdha të botës”. “Një ekologji të gjithanshme”, e cila tashmë është parësore, e, si të krishterë dhe hebrenj, mund e duhet t’i ofrojmë mbarë njerëzimit mesazhin e Biblës për kujdesin ndaj gjithësisë. E pastaj, theksoi Papa, konfliktet, luftërat, dhuna, padrejtësitë që i hapin plagë të thella njerëzimit, na bëjnë thirrje ta forcojmë angazhimin për paqen e drejtësinë:

“Dhuna e njeriut mbi njeriun është në kundërshtim me çdo fe të denjë për këtë emër, e në mënyrë të veçantë, me të tria fetë e mëdha monoteiste. Jeta është e shenjtë, si dhuratë e Zotit”

Nga këtu lutja e përzemërt për vepruar së bashku:

“As dhuna, as vdekja nuk do ta kenë kurrë fjalën e fundit përpara Zotit, që është Zot i dashurisë dhe i jetës. Ne duhet t’i lutemi me ngulm që të na ndihmojë ta praktikojmë në Evropë, në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme, në Afrikë e në të katër anët e botës, logjikën e paqes, të pajtimit, të faljes, të jetës”.

I pashmangshëm e mallëngjyes referimi i Papës ndaj Shoahut. Fytyrat e protagonistëve të paktë që kanë mbijetuar i ka para vetes. “Është ndër mizoritë më çnjerëzore, që u bënë ndonjëherë në emër të një ideologjie, e cila donte ta zëvendësonte Zotin me njeriun”. Kurrë të mos e harrojmë, është thirrja e fuqishme e Papës:

“E kaluara duhet të shërbejë si mësim për të sotmen e të ardhmen. Shoah na mëson se duhet të jemi gjithnjë vigjilentë, për të ndërhyrë në kohën e duhur në mbrojtje të dinjitetit të njeriut e të paqes. Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time çdo dëshmitari të Shoah, që jeton akoma; e u drejtoj një përshëndetje të posaçme atyre, të cilët janë sot të pranishëm”.

Po fjala e fundit e Papës në ditën e djeshme historike në Sinagogën e Romës, është edhe një herë mirënjohja, për 50 vjetet e besimit, miqësisë e mirëkuptimit të anasjellët. “Zoti na bekoftë e na ruajt, na ndriçoftë me fytyrën e vet e na dhëntë hirin  e Tij. E sjelltë fytyrën e Tij drejt nesh e na dhëntë paqen” (cfr Nm 6,24-26), Ai që me ne dhe për ne ka planet e shpëtimit. “Shalom alechem!








All the contents on this site are copyrighted ©.