2016-01-18 17:02:00

Papa, policëve të Vatikanit: puna juaj, e çmuar për Jubileun


“Rendi i jashtëm, mbi të cilin ju vigjëloni me kujdes të jashtëzakonshëm, do të favorizojë edhe rendin e brendshëm, karakterizuar nga qetësia dhe paqja”. Kjo është bindja e Papës Françesku, të cilën e shprehu gjatë audiencës tradicionale të fillimvitit me drejtuesit dhe personelin e Inspektoriatit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit. Ati i Shenjtë vlerësoi lart punën e forcave të rendit, sidomos në kuadrin e Jubileut të jashtëzakonshëm.

“Rendi”, që kujdeset për shpirtin

         Vërtet, barriera e metal detector, porta të kontrolluara e radhë të gjata, që kërkojnë durim e bashkëpunim, e kanë ndryshuar rrënjësisht zonën përreth Vatikanit, në fillim të Vitit Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore. Natyrisht, janë kërkesa për sigurinë e shtegtarëve e të turistëve, por kanë edhe diçka më tepër, nënvizoi Papa Françesku. U krijojnë shtegtarëve atë qetësi ambientale, që i lejon të përqendrohen në lutje e në meditim shpirtëror, deri në kalimin e Portës Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit:

         “Ju, drejtues, funksionarë dhe agjentë të Sigurisë Publike, jeni të thirrur për një impenjim më të madh, në mënyrë që ngjarjet dhe kremtimet e Jubileut të jashtëzakonshëm të bëhen në mënyrë të rregullt e të frytshme. Rendi i jashtëm, mbi të cilin ju vigjëloni me kaq kujdes, pa dyshim do të favorizojë rendin e brendshëm, karakterizuar nga qetësia e paqja”.

Fëmija e Mëshirës

         Ju kryeni një shërbim të çmuar, u tha Ati i Shenjtë policëve të mbledhur në Sallën Klementine, të cilët i ftoi të mendojnë për Betlehemin e madh, që akoma mund të shikohet në Sheshin e Shën Pjetrit. Në të, theksoi Papa, përmes fëmijës, që përfaqëson Jezusin, mund të ndjehet “ngushëlluesi i vërtetë i zemrave”, që na fton të duam e të falim:

         “Kjo përvojë shpirtërore na shoqëroftë gjatë gjithë Vitit Shenjt! Jubileu i Mëshirës qoftë për të gjithë kohë e fuqishme e shpirtit, kohë e pajtimit me Zotin e me vëllezërit. Të gjithë ne kemi nevojë të pajtohemi: të gjithë. Të gjithë kemi diçka me një vëlla, në familje, me një mik… E kjo është koha e pajtimit, për të bërë paqe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.