2016-01-18 14:11:00

Papa, luteranëve: ndryshimet të mos na shkurajojnë në udhën e bashkimit


“Të krishterët janë të thirrur të bashkohen gjithnjë e më shumë, edhe duke kapërcyer konceptet e vjetra”. Kjo është thirrja e Papës Françesku në fjalën për delegacionin ekumenik të Kishës luterane në Finlandë, të cilin e priti me rastin e shtegtimit tradicional për festën e shën Henrikut, në ditën e parë të Javës së lutjes për bashkimin e gjithë të krishterëve. Ati i Shenjtë e vuri theksin në rëndësinë e dëshmisë së përbashkët të të krishterëve në një botë plot konflikte, të shenjuar nga shekullarizmi.

Të ecim së bashku për të ndërtuar themelet e bashkimit në fe

Pasi shprehu mirënjohje për rezultatet e dialogut ndërmjet katolikëve dhe luteranëve - delegacioni i të cilëve udhëhiqet nga ipeshkvi i Helsinkit, Irja Askola - Papa Françesku nënvizoi se hapi i mëtejshëm është interpretimi i përbashkët, në nivelin sakramentor, i Kishës, Eukaristisë dhe i Ministerit, apo shërbimit:

“Hapat e rëndësishme, bërë së bashku, po ndërtojnë një themel të qëndrueshëm për bashkimin e jetës së fesë e të përshpirtërisë. Marrëdhëniet përshkohen gjithnjë e më shumë nga fryma e konfrontimit të qetë dhe e bashkëndarjes vëllazërore”.

Të krishterët të bashkohen, në një botë plot konflikte e shekullarizëm

Ati i Shenjtë Bergoglio vuri në dukje se thirrja e përbashkët e të krishterëve shihet qartë nga teksti biblik, të cilit i referohet Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi sot. “Ju jeni: fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij, që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme” (1 Pjt 2,9). Pavarësisht se ndërmjet luteranëve dhe katolikëve ka akoma ndryshime në doktrinë e në praktikë, theksoi Papa Françesku, kjo s’duhet t’i pengojë të ecin së bashku:

“Kjo nuk duhet të na shkurajojë, por të na nxisë të vazhdojmë së bashku rrugën drejt bashkimit gjithnjë e më të madh, edhe duke kapërcyer koncepte e heshtje të vjetra. Në një botë, shpesh të shkatërruar nga konfliktet e të shenjuar nga shekullarizmi e indiferenca, të gjithë të bashkuar jemi të thirrur të impenjohemi të rrëfejmë Jezu Krishtin, duke u bërë gjithnjë e më shumë, dëshmitarë të besueshëm të bashkimit e protagonistë të paqes e pajtimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.