2016-01-17 15:47:00

Papa në Sinagogë: dhuna është në kundërshtim me çdo besim fetar


Jam i lumtur, që ndodhem me ju këtu, në këtë Tempull të madh. Falënderoj Doktor Di Segni-n, Doktoreshën Dureghello e Doktor Gattegna-n për fjalët e mira, e edhe ju të gjithë, për pritjen e ngrohtë. Faleminderit! Todà rabbà!

Në vizitën time të parë në këtë Sinagogë si Ipeshkëv i Romës, dëshiroj t’ju shpreh ju, e përmes jush, mbarë bashkësisë hebraike, përshëndetjen vëllazërore  të paqes të kësaj Kishe e të mbarë Kishës katolike.

Marrëdhëniet tona i kam shumë për zemër. Që në Buenos Ájres e kisha zakon të shkoja në sinagogat, t’i takoja bashkësitë e tubuara, të ndiqja nga afër festat e përkujtimet hebraike e të falënderoja Zotin, që na jep jetë e na shoqëron në udhën e historisë. Në rrjedhë kohe, u krijua një lidhje shpirtërore, që favorizoi lindjen e marrëdhënieve të miqësisë dhe frymëzoi edhe angazhimin e përbashkët. Në dialogun ndërfetar është themelore  të takohemi si vëllezër e motra para Krijuesit tonë e t’i japim lavd, ta respektojmë e ta vlerësojmë njëri-tjetrin e të kërkojmë bashkëpunimin. Hebrenj e të krishterë i bashkon një lidhje unike, e veçantë, falë rrënjëve hebraike të krishterimit; prej këndej, hebrenj e të krishterë duhet ta ndjejnë veten vëllezër, të bashkur nga i njëjti Zot e nga një trashëgimi e pasur shpirtërore e përbashkët (cfr Dich. Nostra aetate, 4), mbi të cilën duhet të mbështetemi e të vijojmë të ndërtojmë ardhmërinë.

Me vizitën time ndjek  gjurmët e paraardhësve. Papa Gjon Pali II erdhi këtu 30 vjet më parë, më 13 prill 1986: e Papa Benedikti ishte mes jush para 6 vjetësh. Gjon Pali II, në atë rast, përdori shprehjen e bukur “vëllezër të mëdhenj”, e në të vërtetë ju jeni motrat e vëllezërit tanë të mëdhenj në fe. Të gjithë mbarë i përkasim një familjeje të vetme, familjes së Hyjit, i cili na shoqëron e na mbron si popullin e vet. Së bashku, si hebrenj e si katolikë, jemi të thirrur të marrim mbi vete përgjegjësitë tona për këtë qytet, duke sjellë kontributin tonë kryesisht shpirtëror e duke favorizuar zgjidhjen e problemeve të ndryshme aktuale. Uroj të thellohet gjithnjë më shumë afërsia, njohja reciproke e nderimi ndërmjet dy bashkësive tona fetare. Prej këndej, është domethënëse që unë erdha mes jush, pikërisht sot, më 17 janar, kur Konferenca Ipeshkvnore Italiane kremton “Ditën e dialogut ndërmjet katolikëve e hebrenjve”.

Përkujtuam, pak kohë më parë, 50-vjetorin e Deklaratës Nostra aetate të Koncilit II të Vatikanit, që e bëri të mundur dialogun sistematik ndërmjet Kishës katolike dhe hebraizmit. Më 28 tetorin e kaluar, në Sheshin e  Shën Pjetrit, munda të përshëndes edhe një numër të madh përfaqësuesish hebraikë. E u thashë: “I shprehim mirënjohjen tonë të thellë Zotit për shndërrimet, që patën në këto 50 vjet marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve. Indiferenca e kundërvëniet u shndërruan në bashkëpunim e dashamirësi. Nga armiq e të huaj, u bëmë miq e vëllezër. Koncili, me Deklaratën ‘Nostra aetate’, hapi udhën: "po" për rizbulimin e rrënjëve hebraike të krishterimit, "jo" për çdo formë të antisemitizmit e, si pasojë, duke dënuar edhe çdo padrejtësi, diskriminim e persekutim”. Nostra aetate përcaktoi teologjikisht për herë të parë, në mënyrë të qartë, marrëdhëniet e Kishës katolike me hebraizmin. Ajo natyrisht nuk i zgjidhi të gjitha çështjet teologjike, që na interesojnë, por i preku në mënyrë inkurajuese, duke u dhënë një nxitje të rëndësishme reflektimeve të nevojshme të mëtejshme. Lidhur me këtë, më 10 dhjetor 2015, Komisioni për marrëdhëniet fetare me hebraizmin botoi një dokument të ri, që rreh çështjet fetare teologjike të dala në dhjetëvjeçarët e kaluar që nga shpallja e Nostra aetate. Në të vërtetë përmasa teologjike e dialogut hebraiko-katolik meriton të thellohet akoma e dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë ata, që angazhohen në këtë dialog, t’i vijojnë përpjekjet, me kriter e me ngulm. Pikërisht në këndvështrimin teologjik, duket krejt qartë lidhja e pazgjidhshme, që i bashkon të krishterë e hebrenj. Të krishterët, për ta kuptuar vetveten, nuk mund të mos i kujtojnë rrënjët hebraike, e Kisha, ndonëse shpall shëlbimin përmes fesë në Krishtin, e pranon në mënyrë të paprapsueshme Besëlidhjen e Vjetër dhe dashurinë e vazdueshme besnike të Zotit për Izraelin.

Njëherësh me çështjet teologjike, nuk duhet t’i humbasim nga sytë edhe sfidat që duhet të përballojë bota e sotme. Ajo e ekologjisë së gjithanshme është tashmë parësore, e, si të krishterë dhe hebrenj, mund dhe duhet t’i ofrojmë mbarë njerëzimit mesazhin e Biblës për kujdesin ndaj gjithësisë. Konfliktet, luftërat, dhuna, padrejtësitë i hapin plagë të thella njerëzimit e na bëjnë thirrje ta forcojmë angazhimin për paqen e drejtësinë. Dhuna e njeriut mbi njeriun është në kundërshtim me çdo fe të denjë për këtë emër, e në mënyrë të veçantë, me të tria fetë e mëdha monoteiste. Jeta është e shenjtë, si dhuratë e Zotit. Urdhërimi i pestë i Dekalogut thotë: “Mos vra!” (Dal 20,13). Zoti është Zot i jetës, e dëshiron gjithnjë ta mbështesë e ta mbrojë: e ne, të krijuar sipas përngjasimit e shëmbëlltyrës së Tij, duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Çdo qenie njerëzore, si krijesë e Zotit, është vëllau ynë, pavarësisht nga zanafilla e tij e nga përkatësia fetare. Çdo krijesë duhet parë me dashamirësi, ashtu si bën vetë Zoti, që ua jep dorën  e mëshirshme të gjithëve, pavarësisht nga feja e nga prejardhja, e kujdeset për të gjithë ata, që kanë nevojë për Të: të varfër, të sëmurë, të përjashtuar, të pambrojtur. As dhuna, as vdekja nuk do ta kenë kurrë fjalën e fundit përpara Zotit, që është Zot i dashurisë dhe i jetës. Ne duhet t’i lutemi me ngulm që të na ndihmojë ta praktikojmë në Evropë, në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme, në Afrikë e në të katër anët e botës, logjikën e paqes, të pajtimit, të faljes, të jetës.

Popullit hebraik, në historinë e vet, iu desh të provonte dhunën e persekutimin, deri në shfarosjen e hebrenjve evropianë gjatë Shoah. Gjashtë milionë njerëz; vetëm sepse i përkisnin popullit hebraik, qenë viktima të mizorive më çnjerëzore, që u bënë ndonjëherë në emër të një idelogjie, e cila donte ta zëvendësonte Zotin me njeriun. Më  16 tetor 1943, më se një mijë gra e burra të bashkësisë hebraike të Romës, u internuan në Auschwitz. Sot dëshiroj t’i kujtoj në mënyrë të veçantë: vuajtjet e tyre, ankthet e tyre, lotët e tyre nuk duhen harruar kurrë. E e kaluara duhet të shërbejë si mësim për të sotmen e të ardhmen. Shoah na mëson se duhet të jemi gjithnjë vigjilentë, për të ndërhyrë në kohën e duhur në mbrojtje të dinjitetit të njeriut e të paqes. Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time çdo dëshmitari të Shoah, që jeton akoma; e u drejtoj një përshëndetje të posaçme atyre, të cilë janë sot të pranishëm.

Të dashur vëllezër më të mëdhenj, duhet të jemi me të vërtetë mirënjohës për gjithçka u realizua në 50 vjetët e fundit, sepse ndërmjet nesh u rrit e thellua mirëkuptimi reciprok, besimi e miqësia. Ta lusim së bashku Zotin  që të na çojë drejt një ardhmërie të mirë, më të mirë. Zoti ka për ne plane shëlbimi, siç thotë Jeremia Profet: “Unë e di mirë synimin që kam me ju  - është Fjala e Zotit - synime paqeje e jo mjerimi. Për t’ju dhënë një ardhmëri plot me shpresë”(Jer 29,11). “Zoti na bekoftë e na ruajtë, na ndriçoftë me fytyrën e vet e na dhëntë hirin  e Tij. E sjelltë fytyrën e Tij drejt nesh e na dhëntë paqen” (cfr Nm 6,24-26).

Shalom alechem!








All the contents on this site are copyrighted ©.