2016-01-17 10:30:00

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në përvjetorin e vdekjes


Si sot, më 17 janar të vitit 1468, ndërroi jetë Heroi Kombëtar i popullit shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut , Atleti i Krishtit dhe i krishteri i flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

Pra, sot më 17 janar, i gjithë kombi shqiptar përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e vdekjes. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët e vendlindjen nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti realizoi bashkimin e parë të shqiptarëve në  Lidhjen e Lezhës, guri i parë drejt krijimit të Shtetit të Pavarur. Kësaj radhe, duam ta kujtojmë Gjergj Kastriotin me një fjalim të Papës Pali VI, i cili më 25 prill 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u fliste atdhetarëve shqiptarë të diasporës, mbledhur rreth tij në Vatikan, në një kohë kur Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist. Shembull i gjallë, që tregon se si Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar. Ja çka tha me atë rast Papa Pali VI:
Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit (racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të
besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e
“gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore
”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.