2016-01-17 13:43:00

Engjëlli i Tënzot. Papa emigrantëve: mos lejoni t’jua vjedhin gëzimin e të jetuarit.


Në Ditën botërore të emigrantit e të refugjatit, Papa iu drejtua të gjithë atyre, që ravgojnë në udhët e botës në kërkim të një strehe: “Mos lejoni t’jua rrëmbejnë gëzimin e të jetuarit", u tha. Pastaj u lut edhe për viktimat e atentateve në Indonezi dhe në Burkina Faso.

Ishin me mijëra, emigrantët e refugjatët, nga dhjetra vende, që u mblodhën sot në Sheshin e Shën Pjetrit, për të kremtuar Jubileun e tyre, për të kapërcyer Portën Shenjte e për të marrë pjesë në Meshën, kremtuar për ta, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Françesku iu drejtua të gjithëve me fjalë plot dashuri:

“Të dashur emigrantë e refugjatë, secili nga ju mbart me vete një histori, një kulturë, një mori vlerash të çmuara; e shpesh, për fat të keq, edhe përvojën e mjerimit, të shtypjes, të frikës”.

Prania juaj në këtë Shesh është shenjë e shpresës në Zotin, nënvizoi, për t’u bërë, në vijim, këtë thirrje:

“Mos lejoni t’jua vjedhin shpresën e gëzimin e të jetuarit, që burojnë nga përvoja hyjnore e mëshirës, edhe falë njerëzve, që ju strehojnë e ju ndihmojnë”

Pastaj, një falënderim edhe një duatrokitje për të burgosurit e burgut  të Punës, në Milano, që përgatitën hostet e Meshës kushtuar emigrantëve dhe refugjatëve.

Papa u lut edhe për viktimat e atentateve, që gjakosën këtë javë kryeqytetet e  Indonezisë dhe të Burkina Fasos:  Xhakartën dhe Ouagadougu:

 “Zoti i pranoftë në shtëpinë e Tij dhe e mbështetët angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar paqen”.

Ndërsa për katekizmin e shkurtër, mbajtur gjatë lutjes, Papa u frymëzua nga faqja ungjillore e së dielës, kushtuar Dasmës së Kanës:

“Në mrekullinë e Kanës, shpjegoi Françesku, shikojmë dashamirësinë e Jezusit për dhëndrin, bekimin e Zotit mbi martesën. Dashuria e burrit me gruan është udhë e mirë për ta jetuar Ungjillin, domethënë, për të ecur me gëzim në shtegun e shenjtërisë”.

Por, kujtoi Papa, mrekullia e Kanës nuk ka të bëjë vetëm me bashkëshortët. Çdo njeri është i thirrur ta takojë Zotin në jetën e  tij. Feja përshkohet në kohë gëzimi e dhimbjeje, drite e errësire, ashtu si çdo përvojë dashurie:

“Jezusi nuk na paraqitet si gjykatës, gati për të dënuar fajet tona; as si komandant, që të detyron t’i zbatosh verbërisht urdhërat e tij. Jezusi na paraqitet si Shëlbues i njerëzimit, si vëlla, si vëllai ynë më i madh, Bir i Atit. Na paraqitet si ai, që u përgjigjet shpresave e premtimeve të gëzimit, të cilat secili nga ne i ka në zemër. Duhet të mos harrojmë kurrë se Jezusi na kërkon e na fton t’i bëjmë vend në loçkë të zemrave tona”.








All the contents on this site are copyrighted ©.