2016-01-16 16:05:00

Papa: punë për të gjithë, të ndihmohen të rinjtë e papunë


Puna është një nga thirrjet më të lashta të njeriut, por sot dinjiteti që siguron puna vihet shpesh në rrezik nga papunësia e paligjshmëria. Prej këndej, është e nevojshme të formohet një humanizëm i ri i punës, që t’u japë shpresë posaçërisht më të rinjve. Papa Françesku e shprehu këtë dëshirë, duke u takuar sot me mijëra anëtarë të Lëvizjes së Krishterë të Punëtorëve, të cilët i priti në audiencë, në Sallën Pali VI.

E ndershme, e domosdoshme, për të gjithë! Është puna, ashtu si duhet të jetë, sipas Papës Françesku. E, në shumë raste, nuk është. Sidomos atje ku gjarpëron “oktapodi” i korrupsionit dhe i paligjshmërisë. Ndërsa është, kur thirrja për punë kuptohet sipas planit të Zotit, shprehur që në Librin e Zanafillës: njeriu u krijua që ta ndërtojë e ta ruajë shtëpinë e përbashkët.

Humanizëm i ri i punës

Françesku foli në një sallë të mbushur sa më nuk zinte. Me shtatë mijë anëtarë të Lëvizjes Kristiane të Punëtorëve dhe familjet, në festë. Disa prej tyre sollën dëshmi konkrete të asaj, që quhet punë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke mbetur gjithnjë në përkim me fenë e tyre. Për të qenë përherë besnik i thirrjes për punë, pohoi Papa, është i nevojshëm, sidomos edukimi. Duhet, theksoi, një humanizëm i ri i punës, në qendër të të cilit është njeriu, jo fitimi, ku ekonomia i shërben njeriut e nuk shërbehet prej tij. E kjo…:

“Sepse jetojmë në një kohë, kur punëtorët shfrytëzohen; në një kohë, kur puna nuk është në shërbim të dinjitetit të njeriut, por punë skllavi”

Shitblerje morale

E duartrokitjet vazhdojnë kur Françesku i fton të gjithë të ecin në rrugën e ndritshme dhe impenjative të ndershmërisë, larg shtigjeve të shkurtëra e të shtrembëra të favoritizmit e të ndërhyrjeve:

“Këto tundime nuk mungojnë kurrë, të vogla a të mëdha qofshin, por, sido që të jenë, mbeten gjithnjë ‘shitblerje morale’, të padenja për njeriun; duhen hedhur poshtë, prandaj, duke e mësuar zemrën të jetë gjithnjë e lirë. Përndryshe krijojnë një mendësi të rreme e të dëmshme, që duhet luftuar: mendësinë e paligjshmërisë, që çon në zvetënimin e njeriut e të gjithë shoqërisë. Paligjshmëria është si oktapodi gjakpirës, që nuk bie në sy,  që kridhet nën ujë, por që, me tentakulat e tij, ta thith gjakun e ta helmatis, duke të bërë të ndjehesh shumë keq”.

Të planifikosh, për të tjerët

Fjala e dytë e Françeskut, është ndarje e përbashkët. Puna, që zë shumë orë të ditës, do të duhej, theksoi, t’i bashkojë njerëzit, e jo t’i largojë, duke i detyruar të mbyllen në vete e të ndjehen të huaj. Duhet ta ndjejnë fort nevojën e interesimit për njeriun, që kanë pranë, e po ashtu, edhe për planet e “Shërbimit Qytetar”, të vëna në jetë nga Lëvizja e Krishterë e Punëtorëve:

“Ka rëndësi që të tjerët të mos interesohen vetëm për nevojat e veta, por edhe për projektet e mirëfillta. Të gjithë bëjnë plane për vete por kur projekton për të tjerët, krijon kushtet për të bërë një hap përpara: e vë mendjen në shërbim të dashurisë, duke e bërë njeriun më të lidhur me jetën, më të lumtur, sepse më të aftë për të dhuruar”.

Punë për të gjithë

Këshilla e tretë, ajo e dëshmisë. Papa kujton frazën e Shën Palit: “Kush nuk do të punojë, nuk duhet as të hajë”. Edhe kështu dëshmohet feja, me punën e përditshme, duke e mundur përtacinë e plogështinë, posaçërisht në një fazë historike, në të cilën, pohoi Françesku, ka njerëz që dëshirojnë të punojnë, por nuk ia dalin mbanë e mezi arrijnë të sigurojnë ushqimin. Është drama e të përjashtuarve të rinj të kohës sonë, njerëzve, të cilëve u rrëmbehet dinjiteti e që, në disa vende evropiane, kujton Papa, janë 40-50% e popullsisë, shpesh edhe të rinj, që thithen nga vorbulla e vartësive, sëmundjeve psikologjike, vetëvrasjeve:

“Drejtësia njerëzore kërkon që të sigurohet puna për të gjithë. Edhe Mëshira hyjnore na e kujton këtë: njerëzit në vështirësi e në gjendje të mundimshme, mendoj edhe për të rinjtë, që e kanë problem të martohen e të lindin fëmijë, sepse nuk kanë punë të qëndrueshme ose shtëpi, nuk kanë nevojë për predikime, kanë nevojë për shpresë, për ngushëllim, për ndihmë konkrete”.








All the contents on this site are copyrighted ©.