2016-01-16 17:13:00

Papa: mëshira, kartë identiteti e Zotit. Libri–intervistë me Torniellin; Kapitullit II-III


Rrëfimi nuk është lavanderi, as torturë. Duhet të dëgjosh, jo të pyesësh

“Mëshira është kartë identiteti e Zotit”: na kujton Papa, në librin–intervistë me vatikanistin Andrea Tornielli, titulluar “Emri i Zotit është mëshirë”. Po vijojmë sot me Kapitullit II e III.

Kapitulli II: Rrëfimi nuk është lavanderi, as torturë. Duhet të dëgjosh, jo të pyesësh.

Njeriu nuk shkon në rrëfyestore për t’u gjykuar, por për diçka shumë më të madhe se gjykimi. Për t’u takuar me mëshirën e Zotit, pa të cilën bota nuk do të ekzistonte. Prandaj, nëvizon Papa, rrëfyestorja nuk duhet të jetë “lavanderi”, ku lahet kimikisht mëkati, si të ishte një njollë e zakonshme, që la gjurmë mbi rrobet e palara. Njolla është mbi shpirt. Nuk është as sallë torture, në të cilën  ndeshesh me kureshtjen e tepruar të disa rrëfyesve, kureshtje nganjëherë “pakëz e sëmurë”,  që e shndërron rrëfimin në hetim.

Kapitulli III:  Të pranojmë se jemi mëkatarë: Zemra e copëtuar është fli e pëlqyer nga Zoti

Në dialog me rrëfyesin, duhet të dëgjohesh, jo të pyetesh. Prej këndej, meshtari duhet të këshillojë me deliktatesë. Por, për të fituar hirin e mëshirës hyjnore, pohon përsëri Papa, ka rëndësi të pranosh se je mëkatar, sepse “zemra e copëtuar është flija më e pëlqyer para syve të Zotit, shenjë, që tregon se jemi të vetëdijshëm  për nevojën e faljes e të mëshirës”. Papa kujton, pastaj, se mëshira e Zotit është pambarimisht më e madhe sesa mëkati ynë e, prej këndej, Zoti na paraprin, na del përpara, na pret gjithnjë, me faljen e tij, me hirin e tij hyjnor. Vetëm fakti që njeriu shkon në rrëfyestore, shpjegon Françesku, tregon se është penduar. E nganjëherë vlen më shumë prania e një pendestari të hutuar e të përvuajtur, që memzi i nxjerr fjalët nga goja, sesa një lumë fjalësh, me të cilin ndokush e përshkruan pendimin e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.