2016-01-15 17:00:00

Papa: mëshira, kartë identiteti e Zotit. Libri–intervistë me Torniellin


“Mëshira, është kartë identiteti e Zotit”: pohon me forcë Papa, në librin–intervistë me vatikanistin Andrea Tornielli, titulluar “Emri i Zotit është mëshirë”. Po vijojmë sot me pjesën II të Kapitullit I, me titull “Është koha e mëshirës”:

Hiri i turpit e bën mëkatarin të vetëdijshëm për mëkatin

Hiri i turpit vihet në qendër të vëmendjes në reflektimin e Papës, kur prek temën e turpit. Ati i Shenjtë e shikon turpin si hir, sepse e bën mëkatarin të vetëdijshëm për mëkatin e vet. I veçantë, nënvizimi i të ashtuquajturit “apostullim i veshit” apo, thënë me fjalë të tjera, aftësia e rrëfyesve për të dëgjuar me durim, duke pasur parasysh se sot shumëkush kërkon ndokënd, që është i gatshëm t’i dhurojë kohën e vet. Një dëgjues të mëshirshëm. Një njeri, i cili ka durimin t’ua vërë veshin dramave e vështirësive të përditshme të njeriut që vuan, i mbyllur në vetvete, me dramën e vet. Ndërmjet tjerash, vëren Papa, është pikërisht kjo, që i shtyn shumë njerëz t’u drejtohen fallxhinjve të të gjitha ngjyrave, të cilët pretendojnë se janë të aftë për të lexuar duar, zemra, të shkuar, të sotme e të ardhme. Papa kujton, ndërmjet tjerash: “Nëse rrëfyesi nuk mund ta zgjidhë mëkatarin, mund t’i japë, të paktën, një bekim, edhe pa zgjidhjen sakramentore, sepse Zoti e do edhe atë, që nuk është në gjendje ta marrë sakramentin”.

Të jesh rrëfyes, është përgjegjësi e madhe

“Kini dhembshuri për këta njerëz”, u kujton Papa meshtarëve, mos i  largoni, sepse njerëzia vuan e të jesh rrëfyes është përgjegjësi e madhe”. Lidhur me këtë, Françesku kujton mbesën e vet: “Kam një mbesë që u martua në gjendje civile me një burrë, para se ai ta kishte zgjidhur martesën e parë – tregon. - Ky burrë ishte aq fetar, sa për gjithë të diel, kur shkelte në Kishë për të parë Meshë, gjunjëzohej në rrëfyestore e i thoshte meshtarit: “E di se ju nuk mund të më zgjidhni, po unë kam mëkatuar në këtë e atë, prandaj jam këtu për të marrë të paktën një bekim. Ky është njeri fetarisht i formuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.