2016-01-14 13:18:00

Papa Françesku: feja nuk mësohet nga librat, është dhuratë e Zotit


Feja fiton gjithmonë, sepse e shndërron në fitore edhe humbjen, por nuk është “magji”, është marrëdhënie personale me Zotin e nuk mësohet nga librat. Vërtet, ajo është dhuratë e Zotit, e cila duhet kërkuar me lutje. Ky ishte thelbi i homelisë së Papës Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Leximi i parë, marrë nga Libri i Samuelit, tregon për Popullin e Zotit, që u mund nga filistejtë. Humbi gjithçka, edhe dinjitetin, vërejti Ati i Shenjtë. Por çfarë e çoi këtë popull drejt masakrimit? – pyeti Papa. Dalëngadalë, njerëzit e kishin humbur besimin, jetonin me idhuj, shkonin në shenjtërore si të ishte ndonjë udhëtim kulturor, nuk e adhuronin më Zotin. E Hyji i la vetëm. Populli, vuri në dukje Françesku, përdori edhe Arkën e Zotit për të fituar betejën, si të ishte ndonjë gjë magjike. Natyrisht, “në Arkë – kujtoi Papa – ishte Ligji, ai Ligj, që ata nuk e zbatonin e nga i cili ishin larguar”. E kështu, munden: 30 mijë izraelitë vriten, Arka e Zotit merret nga filistejtë, dy bijtë e Heliut, “ata meshtarë kriminelë, që shfrytëzonin njerëzit në Shenjtëroren e Silos” vdesin. Populli, që largohet nga Zoti, theksoi Papa, përfundon kështu. Ndërsa Ungjilli i ditës na flet për fitore:

“Në atë kohë, erdhi tek Jezusi një lebroz, i cili i lutej në gjunjë – pikërisht në një gjest adhurimi – e i thoshte: ‘Nëse do, më pastro’. E sfidon Zotin, duke i thënë: ‘Mua më ka mundur jeta – lebrozi ishte i mundur, sepse nuk mund të bënte jetë të përbashkët me të tjerët, mënjanohej gjithmonë, lihej anash – por Ti mund ta shndërrosh këtë humbje në fitore!’. Pra: ‘Nëse do, mund të më pastrosh’. Para tij, Jezusi pati mëshirë, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Po dua! Qofsh i pastër!’. Kaq e thjeshtë është: kjo betejë përfundoi me fitore për dy minuta; ajo tjetra, vazhdoi gjithë ditën e përfundoi me humbje. Ai njeri kishte brenda diçka, që e nxiste të shkonte te Jezusi e ta sfidonte në këtë mënyrë. Kishte fe!”.

Shën Gjoni Apostull thotë se fitorja jonë mbi botën është feja. “Feja jonë fiton, gjithmonë!”:

“Feja është fitore. Feja. Si ky njeri: ‘Nëse do, mund ta bësh’. Të mundurit e Leximit të parë i luteshin Zotit, kishin Arkën, por nuk kishin fe, e kishin harruar. Ky njeri kishte fe e kur kërkojmë me fe, vetë Jezusi na ka thënë se lëvizim malet. Bëhemi të aftë të zhvendosim një mal nga njëra anë tek tjetra: feja na bën të aftë për këtë. Vetë Jezusi na ka thënë: ‘Çdo gjë që t’i kërkoni Atit Qiellor në emrin tim, do t’ju jepet. Kërkoni e do t’ju jepet; trokisni e do t’ju hapet’. Por me fe, ama! Kjo është fitorja jonë”.

Papa Françesku e përfundoi homelinë me këtë lutje:

“T’i kërkojmë Zotit që lutja jonë t’i ketë gjithmonë rrënjët në fe, të lindë nga feja në Të. Hiri i fesë: është dhuratë, feja. Nuk mësohet nga librat. Është dhuratë, që ta jep Zoti, por duhet ta kërkosh: ‘O Hyj, më jep fe!’. ‘Besoj o Zot!’ tha ai burri, që i kërkonte Jezusit t’ia shëronte të birin: ‘Po të lutem o Zot, ndihmoje fenë time të paktë’. Lutet me fe… dhe shërohet. T’i kërkojmë Zotit hirin për t’u lutur me fe, për të qenë të sigurtë se çdo gjë, që i kërkojmë Atij, do të na jepet… me atë siguri, që na jep feja. E kjo është fitorja jonë: feja!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.