2016-01-13 14:24:00

Papa thërret atë Ermes Ronchi-n për ushtrimet shpirtërore


“Alo, jam Papa Bergoglio. Dua të kërkoj një favor”. Nga ana tjetër e telefonit, vetëm pak ditë më parë, përgjigjej friulani atë Eermes Ronchi, i cili për një javë, në muajin mars, do të mbajë ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve për Atin e Shenjtë dhe Kurien Romake. Do të jetë një javë e mbushur me takime e reflektime, që do të zhvillohen në Ariccia, jo larg nga Castel Gandolfo, ku përveç Papës do të marrin pjesë rreth 60 vetë, ndër krerë dikasterësh të Kuries, ipeshkvij e kardinaj.

Që Papa e kap me lehtësi telefonin për të folur personalisht me njerëzit, këtë e dinë të gjithë tashmë, por për atë, që ndodhet nga ana tjetër e fillit, i cili e lidh me Atin e Shenjtë, nuk është e lehtë të gjejë fjalët dhe përgjigjet e përshtatshme. Kështu, edhe teologu friulan, atë Ermes, kur u përgjigj në celular pak ditë më parë, u habit fillimisht e pastaj u mbush me emocion. Kur Papa i tha se do një favor prej tij, menjëherë u përgjigj: “Natyrisht, më thoni, ç’do gjë që të keni nevojë…”. Por pastaj, tregon teologu, “kur më tha se donte të më ftonte për të organizuar disa takime reflektimi, u përpoqa t’i bëj bisht e u përgjigja se nuk isha i sigurtë se mund ta bëja atë detyrë, se isha njeriu i përshtatshëm”.

Por përgjigjja nuk e ndali aspak entuziazmin e Papës, i cili, ia preu shkurt: “Atëherë, fillojmë të dielën, më 6 mars”. Pastaj, duke pasur frikë se mos meshtari ishte i zënë me punë të tjera, shtoi me dyshim: “Doni të kontrolloni më parë agjendën?”. Natyrisht, atë Ermes nuk pati nevojë të kontrollonte dhe e pranoi me përvuajtëri këtë detyrë të vështirë.

Lindur në Racchiuso, fraksion i Attimis (Udine), ku kthehet shpesh, atë Ermes Ronchi është teolog i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë. Jeton në Milano. Autor i librave të shumtë mbi tema biblike e shpirtërore, bashkëpunëtor i gazetës kishtare “Avvenire” dhe i gazetave të tjera, ka drejtuar rubrikën “Arsyet e shpresës” në një program televiziv kulturor katolik. Karakteristikë e mënyrës së tij për të prezantuar programin ishte shoqërimi i komentit të Ungjillit me një vizitë në një bashkësi me frymëzim fetar dhe leximi i një poezie të përshpirtshme në fund të emisionit. Ati i Shenjtë pati shprehur vlerësimin e tij për atë Ermesin edhe me rastin e urimeve të Krishtlindjes për Kurien Romake.








All the contents on this site are copyrighted ©.