2016-01-13 16:06:00

Nismë e Papës: Ditë ushtrimesh shpirtërore për organizmat bamirëse


Ati i Shenjtë Beroglio i ka kërkuar Këshillit Papnor “Cor Unum” të organizojë një Ditë ushtrimesh shpirtërore, që çdo organizëm bamirës kudo në botë, do të impenjohet ta mbajë gjatë Kreshmëve, në kuadrin e Jubileut të Mëshirës. Dikasteri vatikanas duhet të organizojë lutjet, reflektimet dhe gjithë materialin e nevojshëm për këtë qëllim, të cilin duhet ta shpërndajë më pas ndër të gjitha këto organizma kishtare. Çdo vend e secili prej organizmave do të vendosë gjatë Kreshmëve, një ditë të përshtatshme për mbajtjen e këtyre ushtrimeve shpirtërore. Për këtë nismë të Papës Françesku, pyetëm sekretarin e “Cor Unum”, imzot Giampietro Dal Toso:

Nuk është rastësi që Jubileu i Mëshirës, në kuadrin e të cilit duhet parë edhe kjo nismë, ka si temë “Të mëshirshëm si Ati: Zoti është Ati i mëshirës”. Kisha – përmes anëtarëve të vet, gjatë shekujve – e ka vënë gjithnjë në jetë mëshirën e marrë dhuratë prej Zotit e shi për këtë arsye, edhe Papa, në shpalljen e Jubileut, nënvizoi rolin e veprave të mëshirës. Në Kishë, kemi një numër pa fund institucionesh, grupesh, organizmash, që punojnë në fushën e bamirësisë dhe e dëshmojnë mëshirën, duke i shërbyer njeriut. Por, ne jemi edhe të vetëdijshëm se mund të mëshirojmë vetëm nëse ndokush na ka mëshiruar më parë: ky është çelësi për t’i kuptuar këto ushtrime shpirtërore, të cilat duam të realizohen në të gjithë Kishën në nivelin lokal. Ne mund ta jetojmë mëshirën, të bëjmë vepra mëshire, të punojmë përmes institucioneve tona të mëshirës vetëm nëse më parë jemi mëshiruar nga Ati Qiellor.








All the contents on this site are copyrighted ©.