2016-01-13 14:30:00

Ministri jashtëm i Vatikanit imzot Gallagher mbi bamirësia politike


“Feja dhe diplomacia” është tema e takimit që organizon shoqata ndërkombëtare “Bamirësia politike”, më 21 janar në Romë, në via delle Milizie n.140. Pas hapjes së punimeve të takimit nga presidenti i shoqatës, Alfredo Luciani, do të flasin imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, me fjalë tjera ministër i jashtëm i Vatikanit; Benedetto della Vedova, zëvendës sekretar i ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë; Denis Fontes de Souza Pinto, ambasador i Brazilit pranë Selisë së Shenjtë; Tataru-Cazaban Bogdan, ambasador i Rumanisë pranë Selisë së Shenjtë.

Po kujtojmë se diplomacia e Vatikanit është në shërbim të paqes në botë. Mbi këtë argument, më 11 janar 2016, u shpreh edhe Papa Françesku në takimin tradicional mbajtur në Vatikan me trupin diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Çështja e paqes në botës, në njërën anë sot paraqitet në domethënien dhe vlerën aq të domosdoshme, e në anën tjetër rrezikon të nëpërkëmbët e të asgjësohet, në dëme të popujve e kombeve të botës.

E kur është fjala për politikën ndërkombëtare, kujtojmë fjalët e Benediktit XVI, sipas të cilit, ‘diplomacia është arti i shpresës’. E diplomatët e Vatikanit e dinë se kjo shpresë ka një emër, sepse është diplomaci e meshtarëve. E këtu, kujtojmë se përfaqësuesit diplomatik të Papës dhe Selisë së Shenjtë në shumë vende të botës, si dhe në Shqipëri, janë Nuncat Apostolikë (Ambasadorët), të cilët janë meshtarë, zakonisht ipeshkvij.

Po si lindi konkretisht struktura diplomatike dhe si e çon përpara Vatikani politikën ndërkombëtare?

Sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin: “Diplomacia e Selisë së Shenjtë ka lindur nga historia, gjë që do të thotë se Selia e Shenjtë, që në zanafillë, ka gëzuar personalitet juridik ndërkombëtar. Prej këndej, mund të zhvillojë edhe të gjitha ato veprimtari që janë tipike për subjektet ndërkombëtare, dmth për shtetet. Ka edhe mundësinë të dërgojë ambasadorë e të pranojë ambasadorë. Do të thosha se është një mjet, që i shërben Selisë së Shenjtë si qeveri qendrore e Kishës katolike, për zhvillimin e misionit të saj”.

Po të vijmë edhe një herë tek fjalimi i Papa Françeskut drejtuar pak ditë më parë Trupit  Diplomatik, e ja përgjigja e kardinali Parolin:

“Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij drejtuar Trupit Diplomatik, kërkon të hyjë në situatat e vështira, ose në krizat e botës. Në këtë fjalim kujton shumë situata të tilla, që shqetësojnë e trondisin mbarë bashkësinë ndërkombëtare. Besoj se është një fill i kuq që i lidh këto fjalime, e ky fill është shqetësimi për mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit të njeriut, dinjitet i bazuar mbi përmasën e mbinatyrshme të njerëzve, një aspekt tjetër ky, që tregon se Selia e Shenjtë ka vizion të gjithanshëm mbi njeriun; vizion që nuk kufizohet vetëm në një përmasë të vetme, në atë fizike, materiale, ekonomike, por e shikon njeriun në tërësinë e tij e mbi këtë tërësi Selia e Shenjtë ngul këmbë gjithnjë. Prandaj mund të themi se tema e mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, e mbrojtjes së të drejtave të tij, fillon nga e drejta për jetën, nga çasti i zënies, deri në vdekjen e natyrshme e deri tek mbrojtja e lirisë së tij. Natyrisht, një aspekt tjetër është ai i edukimit me frymën e paqes, paqes së kuptuar si tërësi e kushteve që i krijojnë njeriut mundësitë të zhvillohet si njeri e si bir i Hyjit e të krijojë rreth vetes marrëdhënie të qeta e të frytshme me të tjerët”.

Na duket e arsyeshme të përfundojmë me fjalët e Benediktit XVI ‘diplomacia është art i shpresës” …
Kardinali Parolin: “Art i shpresës, sepse art i shpresës do të thotë që ekziston mundësia të zgjidhen në mënyrë paqësore vështirësitë dhe konfliktet që vërehen në botë. E ky është mesazhi i madh i diplomacisë. Kemi shumë e shumë shembuj, shumë situata, që mund të mos jenë gjithnjë në lartësinë e asaj që pritej, por në të cilat shpresa na ndihmon të ecim përpara; e atëherë kur nuk shihen menjëherë rezultatet, duhet të punojmë me afate të gjata e – rikutjoj se diplomacia e Vatikanit është diplomaci e meshtarëve - gjithnjë me ndihmën e Zotit, duke e ditur se bekimi i Hyjit i bën të frytshme të gjitha përpjekjet e mëdha apo të vogla në këtë drejtim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.