2016-01-13 14:00:00

Kushtet e përjetshme te jetes rregulltare të motër Alma Zogut


Në Kishën e Martirëve Shqiptarë, në Blinisht të Zadrimës, Motër Alma Zogut, anëtare e familjes rregulltare të motrave Venerini në Gjadër, bëri kushtet e përjetshme të jetës rregulltare. Kremtimin Eukaristik, gjatë të cilit motër Alma i tha ‘po’ Zotit për tërë jetën, e kremtoi ipeshkvi i dioqezës së Sapës, imzot Lucjan Avgustini. Më hollësisht nga Vau-Dejës njofton Violeta Marashi...

KUSHTIMI I PËRJETSHËM I MOTËR ALMA ZOGU

Në mbyllje të Vitit të Jetës së Kushtuar, në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, u kremtua mesha e kushtimit të përjetshëm të Motër Alma Zogut, anëtare e familjes rregulltare të motrave Venerini në Gjadër. Për t’u bërë pjesë e këtij gëzimi dhe për të falenderuar Zotin për këtë dhuratë të kushtimit, në këtë ceremoni qindra besimtarë u bashkuan rreth elterit eukaristik bashkë me familjarët e motër Almës, si dhe Eprorja e përgjithshme e bashkësisë së motrave Venerini, motër Eljana Massimi.  

Kremtimin eukaristik dhe Ritin e kushteve të përjetshme i udhëhoqi Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, i ndjekur edhe nga shumë meshtarë të tjerë. Shoqëruar me lutjet dhe me këngët e kënduara nga kori i famullisë Gjadër, në një klimë tepër festive shpirtërore, gjatë gjithë meshës shenjte mbarë besimtarët e pranishëm në kishë e lutën Zotin për motër Almën, që ta ndjekë Krishtin si dhëndrin e saj dhe t’i qëndrojë besnike këtij qëllimi deri në vdekje.

Gjatë homelisë së rastit, ipeshkvi theksoi se “jeta e kushtuar Zotit është dëshmi guximtare në botën e sotme, është jetë e ecjes në gjurmët e Krishtit, është dëshmi e mësimeve të Ungjillit.  Ti përgjigjesh Zotit në thirrjen e tij do të thotë të heqësh dorë nga gjithçka për ta ndjekur Krishtin. Është rruga e lidhjes së jetës me Krishtin e për Krishtin. Në vazhdim, Imzot Lucjani iu drejtua motër Almës me porosinë se në këtë kushtim të jetës tënde Zotit të shoqëron vetë Krishti, i cili na porositë: aty ku jam unë aty do të jetë edhe shërbëtori im! Kushtimi yt le të jetë nxitje dhe shembull për të rinjtë e të rejat në popullin tonë dhe në botë, sepse njeriu i sotëm ka nevojë për persona të cilët e bëjnë Zotin të pranishëm në mesin tonë. Në përfundim, ipeshkvi uroj motër Almën që jeta e saj kushtuar Zotit të jetë dëshmi e vazhdueshme e pranisë së Zotit dhe të rrezatojë me dashurinë e tij.

Në prani të eprores, Motër Eljana, Ipeshkëvit dhe krejt bashkësisë, vazhdoi riti i kushtimit të përjetshëm të motër Almës, e cila me mirënjohje të pamasë për dashurinë e përzgjedhjes që Zoti i ka bërë, dhe me liri të plotë i dhuroi e kushtoi vetveten Zotit si fli lavdi për shërbimin e kishës dhe për të mirën e njerëzve sipas Kushtetutës së Kongregatës së Mësueseve Pie Venerini.

Me pranimin e unazës martesore, si shenjë e kushtimit të saj që ti qëndrojë besnike dhëndrit Krisht dhe miratimit nga ana e eprores gjenerale, Motër Alma, tani e tutje do të jetë pjesë e Familjes Rregulltare Venerini.








All the contents on this site are copyrighted ©.