2016-01-13 12:28:00

Jubileu: Viti Shenjt i Mëshirës. Luka, ungjilltari i mëshirës


Vijojmë rubrikën tonë kushtuar Jubileut të Jashtëzakonshëm: në emisionin e 21-të, Shën Luka, ungjilltari i mëshirës.

Termi mëshirë

Kujtojmë se në termin “mëshirë” - misericordiae në gjuhën latine, gjuhë e Kishës, takohen dy fjalë: miseria-mjerim e cordiae-zemër. Fjala “mjerim” lidhet me gjendjen e njeriut, me mjerimin e tij. Sepse, i pasur a i varfër, njeriu nuk mund të shpëtojë nga mjerimi, me njëmijë fytyra. Ndërsa tek zemra shikojmë simbolikisht, atë që përkulet mbi njeriun e ligshtë, të brishtë, për ta shpëtuar pikërisht nga mjerimi i tij

Takimi i mjerimit të njeriut me zemrën e Zotit

Shtegtimi i njerëzimit në Bibël, është takim i mjerimit të njeriut me zemrën e Zotit. Me mëshirën hyjnore. Ndërmjet Ungjilltarëve, Luka është ai që thekson më shumë tek Jezusi, tiparin e mëshirës. Ungjilli i tij tingëllon si “shpallje e vitit të hirit të Zotit”(Lk 4,19), gati-gati si Jubile.

Drejt të varfërve, të përjashtuarve

Luka ungjilltar vë në qendër të vëmendjes, pikërisht ata, që janë jashtë çdo vëmendjeje në shoqërinë e kohës së tij e të të gjitha kohëve. Merret me të përjashtuarit nga radhët, me të refuzuarit, me të përbuzurit, të poshtëruarit, barinjtë, të varfërit, mëkatarët, të sëmurët, fëmijët, gratë, borxhlinjtë, të gërbulurit, vejushat, jetimët, të huajtë, të pastrehët…Sa shumë mjerim (miseria) e të mjeruar  në këtë botë, e sa pak “zemër”(cordiae).

Afër Jezusit, afër zemrës së Zotit

Për gjithë këtë turmë të mjerësh,  Jezusi është afërsi e zemrës së Zotit. Prej këndej Bibla e quan: “Ai, që ka mëshirë” (në hebraisht rachùm - i Mëshirshmi”) duke kujtuar një term, të cilin gjuha hebraike e përdor për “kraharorin e nënës” (=rèchem), për të theksuar se Zoti ka zemër të fortë ati, por edhe zemër të butë nëne. Zoti është forcë e butësi.

Krishti, Samaritani i mirë

Në Ungjillin e Shën Lukës, çdo  fjalë e veprim i Jezusit udhëhiqet nga mëshira e nga dhimbsuria e Samaritanit të Mirë. Ungjilltari na e paraqet    Fytyrën e mëshirshme të Zotit, në Jezu Krishtin, përmes një mori episodesh ungjillore. E shikojmë tek Samaritani i mirë (e pa, e ndjeu dhimbsuri të madhe: 10.33). Është ati i dhimbsur i djalit plangprishës (pati mëshirë, vrapoi ta takonte… dhe e puthi:15.20). E është i pranishëm kudo ndjehet nevoja për dorën e mëshirshme të Atit të gjithëpushtetshëm!

Modeli, i Krishtit, Ati i mëshirshëm

Modeli i kësaj sjelljeje të Krishtit,  është vetë Zoti, që dëftohet si atë e që Jezu Krishti na fton të gjithëve t’i përngjajmë. Na fton me fjalët: “Të jeni të mëshirshëm, ashtu si i mëshirshëm është Ati juaj” (6,36.)

Simbolet e Jubileut: Porta Shenjte

Simboli kryesor i Jubileut është Porta Shenjte. Kjo Portë, një nga pesë portat monumentale të Bazilikës së Shën Pjetrit, hapet me rastin e çdo Viti Shenjt. U shugurua  e u hap për herë të parë më 24 dhjetor 1949,  nga Piu XII, me rastin e Vitit Shenjt 1950.

Porta e Mëshirës

E për herë të parë në historinë e Jubileve lejohet të hapet edhe Porta Shenjte, e quajtur “Porta e Mëshirës” në dioqezat e ndryshme, posaçërisht në katedralet, në një nga kishat me vlerë të veçantë devocionale ose në shenjtëroret, cak shtegtimesh e vend kthesash të mëdha shpirtërore.

Në emisionin e ardhshëm, ndjesa dhe kuptimi i saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.