2016-01-13 12:10:00

Isis godet në zemër të Stambollit: 10 turistë humbin jetën


Janë dhjetë, turistët e vrarë dje nga një atentat terrorist në qendër të Stambollit. I pasigurtë identiteti i kamikazes, quajtur nga qeveria turke “militant i Shtetit Islamik”. Turqia goditet kështu në zemrën e saj turistike, në sheshin Sulltanahmet, ndërmjet xhamisë blu dhe Shën Sofisë, zakonisht, vend i mbushur përplot me turistë. Shumica e të vrarëve dhe e të plagosurve, janë gjermanë, por edhe një peruvian e ndoshta, një sirian. 10 viktima e 15 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Mënyra e realizimit të atentatit, për të cilin janë arrestuar tashmë rreth 70 vetë, të bën të mendosh se aty ka dorë Shteti Islamik. Kohët e fundit, terroristët e tij e kanë sulmuar vazhdimisht pjesën kurde të Turqisë, por tani atentati është mesazh i qartë për shtetin dhe për njërin nga sektorët kyç të ekonomisë, turizmin.

         Para tre muajsh një atentat tjetër, në Ankara, pati vrarë mëse 100 vetë, gjatë një manifestimi pro kurd. E gjithë bashkësia ndërkombëtare e dënoi ngjarjen, ndërsa presidenti turk Erdogan garantoi se do të përdoret grushti i hekurt kundër organizatave terroriste. Por cila është përgjigjja, që mund të japë Turqia? Intervistuam përgjegjësen e programit për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme në ISPI (Instituti Italian i Studimeve për Politikën Ndërkombëtare), Valeria Talbot:

(Marco Guerra)

         Qeveria mund të japë e duhet të japë sinjale të fuqishme në luftën kundër terrorizmit të tipit xhihadist, ashtu siç po i jep në luftën kundër terrorizmit të tipit kurd. Që nga korriku, e ka rifilluar ndeshjen me Partinë e Punës së Kurdistanit. Turqia po përjeton një gjendje mjaft të ndërlikuar, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë rajonal. Historikisht, vendi ka qenë dhe është i ekspozuar, për shkak të konfliktit të brendshëm me kurdët, për shkak të pozitës gjeografike dhe strategjike, në kufi me zonat e krizës, si Siria e Iraku, për shkak të pranisë së Shtetit Islamik ndërmjet Sirisë dhe Irakut… Këto e ekspozojnë Turqinë ndaj kërcënimeve të terrorizmit, më shumë se vendet e tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.