Thuhet se një sirian është kamikazi që ka shpërthyer sot në mëngjes në qendrën historike të Stambollit, duke shkaktuar së paku dhjetë të vdekur e 15 të plagosur. Ndër viktimat thuhet se nëntë janë gjermanë, tetë të huaj numërohen ndër 15 të plagosur. Merkel konfirmon praninë e bashkëqytetarëve gjermanë ndër viktimat e masakrës së mëngjesit.
Autoritetet turke flasin për një sulm terrorist, pas të cilit besohet se fshihet
Shteti Islamik, por nuk përjashtohet që sulmi të jetë vepër e kurdëve. Dëshmitarë
në vendngjarje thanë se kishin parë një person me një brez shpërthyes që iu afrua
një grupi turistësh gjermanë dhe u hodh në erë pranë xhamisë Blu.
Ende janë duke u zhvilluar hetime për të zbuluar llojin e mjetit, shkakun e shpërthimit
në rajonin Sulltanahmet si dhe për përgjegjësit e mundshëm të kësaj masakre.
Turqia ishte nën alarm që nga shpërthimet vetëvrasëse të muajit tetor që lanë pas
vetes mbi 100 të vrarë në një tubim afër stacionit të trenit në Ankara.
Qeveria anuloi kremtimet për Vitin e ri në Ankara pas arrestimit të dy anëtarëve të
dyshuar të Shtetit Islamik që besohet se po planifikonin sulme vetëvrasëse.
Forcat turke ndërmorën edhe një ofensivë kundër Partisë Punëtore Kurde e shpallur
e jashtëligjshme, të cilën e fajësojnë për sulmet, përfshirë edhe ato që kanë vënë
në shënjestër policët dhe ushtarët turq.
All the contents on this site are copyrighted ©. |