2016-01-11 14:10:00

Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike me 180 shtete


 Me rastin e takimit të sotëm të Papës me Trupin Diplomatik në Sallën vatikanase Regia, një notë kujton se Selia e Shenjtë ka, aktualisht, marrëdhënie diplomatike me 180 shtete. U shtohen edhe Bashkimi Evropian,  Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës si dhe Misioni i Përhershëm i Shtetit të Palestinës.

Ndërmjet tyre është edhe Shqipëria, që lidhi marrëdhënie diplomatike me Selinë Apostolike në rang nunciature dhe ambasade, në shtator 1991. Nunci i parë apostolik ishte imzot Ivan Dias; ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Willy Kamsi. Aktualisht Nunc Apostolik në Shqipëri është kryeipeshkvi imzot Ramiro Moliner Inglés, ndërsa selia e ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë mbetet  prej kohe vakante.

Përsa u përket Organizatave ndërkombëtare, që më 4 qershor 2015, Selia e Shenjtë  është  Vëzhguese pranë Bashkësisë karaibike (CARICOM).

Kancelaritë e Ambasadave, me seli në Romë, duke përfshirë edhe ato të Bashkimit Evropian dhe të Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, janë 86, pasi gjatë këtij viti u janë shtuar edhe Ambasada e Belize-s, e Burkina Faso-s dhe e Guinesë Ekuadoriale. Në Romë kanë selinë edhe Misioni i Shtetit të Palestinës si dhe Zyrat e Lidhjes së Shteteve Arabe, të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin dhe të Komisariatit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Gjatë vitit 2015 u nënshkruan katër marrëveshje: më 1 prill, Konventa ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për Çështjet fiskale; më 10 qershor, Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë, edhe në emër e për llogari të Qytet-Shtetit të Vatikanit, dhe SHBA-ve,  për të favorizuar vëzhgimin në nivel ndërkombëtar të detyrimeve fiskale si dhe për të vënë në jetë Foreign Account Tax Compliance Act (FATCA); më 26 qershor 2015 u ratifikua marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Çad-it mbi statusin juridik të Kishës katolike, nënshkruar më 6 nëntor 2013. Më 10 shtator, pastaj, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Kuwait-tit, “mbi vijimin e këshillimeve dypalëshe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.